Sot në Dhomat e Specializuara në Hagë pritet të mbahen seanca për ish-ministrin e Drejtësisë, Hajredin Kuçi, dhe ish-kryetarin e Komunës së Malishevës, Isni Kilaj. Të dy akuzohen për ndikim mbi dëshmitarët, në bashkëpunim me ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, ish-drejtorin e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Bashkim Smakaj, dhe veteranin e UÇK-së, Fadil Fazliu.
Seanca për Hajredin Kuçin është planifikuar të fillojë në orën 10:00, ndërsa ajo për Isni Kilajn në orën 13:00.
Zhvillimet e mëparshme
Gjatë seancave të djeshme, Hashim Thaçi dhe Bashkim Smakaj kërkuan më shumë kohë për shqyrtimin e materialeve të rastit dhe nuk u deklaruan për akuzat. Thaçi theksoi se nuk kishte pasur mundësi të lexonte tërësisht aktakuzën dhe kërkoi që vetëdeklarimi i tij të shtyhej për më 7 janar 2025, një kërkesë që pritet të shqyrtohet nga gjykatësja Marjorie Masselot.
Në deklaratën e tij, Thaçi tha:
“E di se shoqëria kosovare, familja ime dhe unë presim me padurim fundin e këtij procesi, e presim drejtësinë për çka edhe besojmë në drejtësi. Krejt papritmas, para dy ditësh u njoftova për akuzën e re nga ZPS. Kërkoj që Kushtetuta dhe ligjet e Kosovës të respektohen nga të gjithë, sepse Dhomat e Specializuara janë produkt i institucioneve të Republikës së Kosovës.”
Ndërkohë, Bashkim Smakaj zgjodhi të përdorë periudhën 30-ditore për t’u deklaruar. Avokatët e tij kërkuan lirimin nga paraburgimi duke ofruar garanci financiare dhe dorëzimin e pasaportës, por kjo kërkesë u refuzua nga gjykata për shkak të shqetësimeve se ai mund të ndikonte tek dëshmitarët.
Edhe Fadil Fazliu, i cili u paraqit dje para gjykatës, deklaroi pafajësinë e tij pas konsultimit me avokatin. Megjithatë, kërkesa për lirimin e tij nga paraburgimi u refuzua.
Akuzat
Akuzat ndaj pesë të pandehurve, të ngritura më 29 nëntor dhe publikuara më 6 dhjetor, përfshijnë pretendime për ndikim mbi dëshmitarët dhe pengim të drejtësisë. Proceset gjyqësore pritet të jenë të gjata dhe komplekse, duke marrë parasysh natyrën e ndjeshme të çështjes.