Numri një i “Amazon”, Jeff Bezos, i cili vlerësohet si njeriu më i pasur në botë, i dha fund martesës së tij 25-vjeçare me bashkëshorten Mackenzie, duke e bërë këtë publike një ditë më parë me anë të një deklarate të përbashkët në “Twitter”.
Por kush fshihet pas kësaj ndarje kaq të bujshme, e cila ka hedhur në lojë 137 miliardë dollarë?! Mediat amerikane shkruajnë se ajo është prezantuesja Lauren Sanchez, 49-vjeçarja me origjinë meksikane. Takimi, për ironi të fatit mes të dyve është realizuar nga ish-bashkëshorti i saj, Patrick Ëhitesell, një menaxher i fuqishëm i Hollivudit, nga i cili Sanchez është ndarë tetorin e shkuar. Megjithatë, kjo mbetet ende në fazën e thashethemeve dhe asgjë nuk është e konfirmuar.
Në anën tjetër kanë nisur edhe komentet mbi pasurinë e Bezos dhe mënyrës së si ajo do të ndahet.
Ai u bë milioner në vitin 1997, katër vite pasi ata u martuan. MacKenzie raportohet se ishte një nga punonjëset e para të “Amazon”. Ekspertët thonë se nuk ka gjasa që ajo të marrë kontrollin e “Amazon” pas divorcit, marrëveshja e të cilit pritet të fokusohet në ndarjen e pasurisë së familjes.