MENU
klinika

Raporti: Rrugët si mund të zgjidhet mandati i deputetes

“Xhaçka”, PD dhe PS me dy interpretime për opinionin e “Venecia”! I papajtueshëm me Kushtetutën?

11.12.2024 - 12:20

Komisioni i Venecias publikoi dje opinionin e tij lidhur pyetjet e drejtuara nga kryetarja e Parlamentit pas paqartësisë që socialistët kishin lidhur me rastin “Xhaçka”, cila prevalon, e drejta e deputetit për të votuar pa u diktuar, apo detyrimi për të zbatuar vendimet e Gjykatës Kushtetuese?

Lidhur me pyetjen, “a mund të detyrohen deputetët që të votojnë në një mënyrë të caktuar? Nëse ka përjashtime të tilla, cilat janë ato dhe a kanë lidhje me rastin e mocioneve për pajtueshmërinë e mandatit të një deputeti?”, Komisioni jep këtë përgjigje në paragrafin 57 të opinionit: “Pajtueshmëria e të gjitha autoriteteve me vendimet e GJK është bazuar në parimin e besnikërisë kushtetuese si element i shtetit të së drejtës. Përputhshmëri e tillë nuk duhet të kushtëzohet me votën e shumicës parlamentare, si kërkesë thelbësore e shtetit të së drejtës. Kur një vendim i Gjykatës Kushtetuese interpreton Kushtetutën si kufizuese për kompetencat vendimmarrëse të Parlamentit, ky i fundit duhet të miratojë vendimin në përputhje me gjykimin e gjykatës dhe të votojë mbi çështjen e kufizuar, ashtu siç është përcaktuar nga GJK. Pra, Parlamenti nuk është i detyruar të votojë në një mënyrë të caktuar, por është në gjendje të votojë vetëm për çështje, të cilat janë në kompetencën e tij”.

Sa i takon pyetjes së 2 se, “cilat janë standardet për konstatimin e papajtueshmërisë së mandatit të deputetit nga organet legjislative të shteteve të ndryshme dhe cili është roli i organit respektiv legjislativ në konstatimin e papajtueshmërisë së mandatit të deputetit”, dhe pyetjes 4 “cili është roli i organit legjislativ lidhur me konstatimin e papajtueshmërisë së mandatit të deputetit në shtete të tjera dhe a ka një kontroll gjyqësor ndaj vendimmarrjes së tyre?”, ekspertët e “Venacias” u përgjigjen se kanë marrë në shqyrtim Kushtetutat e disa shteteve dhe kanë arritur në përfundimin se nuk ka një standard të qartë nëse rastet e papajtueshmërisë shqyrtohen nga Parlamenti në disa raste, apo vetëm nga Gjykata Kushtetuese.

“Lidhur me praktikën shtetërore për dispozitat e papajtueshmërisë dhe rolin e legjislativit dhe organet gjyqësore, gjetjet e analizës tregojnë se nuk ka qasje uniformë për çështjen e papajtueshmëritë. Bazuar në materialin që disponon Komisioni i Venecias të shqyrtuar për këtë opinion, konstatimi i papajtueshmërisë me mandatin e deputetit është – në nivel kushtetues – në shumicën e rasteve bëhet në bazë të funksioneve të tjera që mban deputeti. Në disa vende, mund të gjenden aktivitetet (siç janë aktivitetet fitimprurëse) të deputetit, të papajtueshme me detyrën e deputetit (edhe pse kjo nuk është gjithmonë e rregulluar me kushtetutë). Në shumicën e shteteve, subjektet që kanë të drejtë t’i referojnë një çështje një organi gjyqësor janë organe politike ose individë, pjesë e një organi politik dhe zakonisht shqyrtimin e bën një Gjykatë Kushtetuese ose një gjykatë e zakonshme. Vetëm në disa vende, çështja e papajtueshmërisë vendoset nga organi ligjvënës”.

Po ashtu, në opinionin e tij, Komisioni i Venecias sa i takon pyetjes së fundit “A mundet Gjykata Kushtetuese të krijojë normë të re kushtetuese, e cila nuk ka lidhje me kompetencën e saj interpretuese të një norme në fuqi? Edhe pse ia njeh Parlamentin të drejtën për krijimin e normave të reja kushtetuese”, shprehet se kufiri për interpretimin e këtyre normave nuk është i qartë.

“Kompetenca për të krijuar norma të reja kushtetuese i takon pushtetit legjislativit dhe Gjykata Kushtetuese ka për detyrë interpretimin autoritativ të normave ekzistuese. Megjithatë, kufiri ndërmjet interpretimit të një norme kushtetuese ekzistuese dhe krijimit të një norme të re kushtetuese nuk është e qartë”, thuhet në raport.

Në një njoftim për shtyp pas publikimit të raportit, Komisioni i Venecias rithekson se është detyrë e institucioneve shtetërore, përfshirë Parlamentin, për të respektuar Kushtetutën dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese si një element kyç i shtetit të së drejtës.

“Një pajtueshmëri e tillë nuk duhet të kushtëzohet me votën e shumicës parlamentare. Kushtetuta mund të përjashtojë disa çështje nga vendimi parlamentar, por nëse Kushtetuta shpall kompetencën e Parlamentit për të vendosur (dmth., për të votuar) për një çështje të caktuar, përmbajtja e një votimi të tillë duhet të përcaktohet lirisht nga secili deputet vetëm dhe nuk mund të diktohet”,shprehet Komisioni i Venecias.

PS dhe PD, dy interpretime

Opinioni i Venecias nuk mundi t’i japë zgjidhje konfliktit që kanë mazhoranca dhe opozita për mandatin e deputetes Olta Xhaçka.

Kryetarja e Komisionit të Ligjeve, socialistja Klotilda Bushka shprehet se Komisioni i Venecias u jep të drejtë socialistëve që abstenuan mbi kërkesën e Gjykatës Kushtetuese për të mos ia dërguar asaj shqyrtimin e mandatit të deputetes Olta Xhaçka, pasi në opinion shprehet qartë, sipas saj, se Parlamenti nuk është i detyruar të votojë në një mënyrë të caktuar.

“Komisioni i Venecias konstaton, për më tepër, se parimi që deputetët janë të lirë të votojnë sipas bindjeve të tyre është konfirmuar edhe nga Gjykata Kushtetuese shqiptare. Sikurse organet e Kuvendit kanë theksuar disa herë, vendimet e Gjykatës Kushtetuese nuk mund të bëhen objekt vlerësimi nëse zbatohen apo jo, Komisioni i Venecias konstaton se Kuvendi (mazhoranca) e njeh detyrueshmërinë e zbatimit të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese. Ky Komision shpreh mendimin se dy vendimet e dhëna nga Gjykata Kushtetuese për mandatin e O.XH. nuk duheshin kushtëzuar nga votimi në Kuvend për zbatimin e tyre. Me fjalë të tjera, vendimet e Gjykatës Kushtetuese duhet të jenë të zbatueshme dhe nuk duhet të diktojnë votën. Komisioni i Venecias konfirmon qëndrimin e mazhorancës se, sipas jurisprudencës së vetë Gjykatës Kushtetuese shqiptare, Kuvendi dërgon për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese çështjen e papajtueshmërisë së mandatit të një deputeti vetëm kur konstatohet se jemi para rasteve të pikës 3 të nenit 70 të Kushtetutës. Kjo do të thotë kur deputeti vetë përdor pasuri të shtetit dhe fiton prej tyre. Rastet e tjera i shqyrton vetë Kuvendi (neni 70/2 i Kushtetutës)”, deklaroi ajo.

Por ndërkohë, kreu i grupit parlamentar demokrat e sheh mendimin e ekspertëve të Venecias si shuplakë ndaj mazhorancës dhe konfirmim se qëndrimi i socialistëve për Xhaçkën ishte puç kushtetues ndaj shtetit ligjor.

“Qartësisht Komisioni i Venecias konfirmon drejtësinë e betejës së opozitës, duke ritheksuar se nuk mund të ketë diskrecion politik për respektimin dhe zbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese. Në rastin konkret nga i cili u ngrit kjo kërkesë, Gjykata Kushtetuese ka marrë dy vendime dhe zbatimi efektiv i këtyre vendimeve nuk duhet të kushtëzohet me votimin nga shumica parlamentare. Edhe njëherë mashtrimi i Kryetares së Kuvendit me lajme fake, të shpërndarë disa ditë më parë, doli zbuluar. Komisioni i Venecias i ka dhënë shuplakën më të madhe gjatë këtyre 34 viteve një mazhorance, duke konfirmuar ndërkombëtarisht se moszbatimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese me votë politike është i paprecedentë”, u shpreh Bardhi.

Në çdo rast, opinioni i Komisionit të Venecias nuk është i detyrueshëm për t’u zbatuar, por ai do të shërbejë si bazë ndaj marrëdhënieve të mëtejshme mes Gjykatës Kushtetuese dhe Parlamentit.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Tre arsyet pse mazhoranca nuk e zbaton vendimin e Gjykatës Kushtetuese

Opinioni i Komisionit të Venecias, gazetarja Lala: Reagimi i Bushkës, për të vënë duart në kokë


Sulmi i përgjakshëm në tregun e Krishtlindjeve

Autoritetet gjermane përballen me kritika

“Për 4 vite në pushtet shpiku idenë e kombit kosovar”

Kreshnik Spahiu: Kurti harroi premtimet

"U kthye në një sebep që shoqëria të futej në përleshje se kush e ka fajin"

Vrasja e 14-vjeçarit Martin Cani, kryeministri Rama: S’mund të parandalohet të gjitha ngjarjet

Kryqëzimet kryesore në Tiranë që do të bllokohen

Protesta e PD-së më 23 Dhjetor, zbardhet plani i opozitës!

Arabia saudite paralajmëroi autoritetet gjermane për 50-vjeçarin, por…

Mjeku përplasi turmën e njerëzve në tregun e Krishtlindjes, shkon në 4 numri i viktimave!