Hetimet për kryetarin e Bashkisë së Tropojës, Rexhë Byberi dhe nënkryetarin Abedin Kërrnaja, kanë përfunduar. Akuza e shpërdorimit të detyrës pritet t’u komunikohet më 13 dhjetor.
Kujtojmë se Gjykata e Posaçme ka caktuar masën e sigurisë ‘arrest në shtëpi’ për kryetarin e Bashkisë së Tropojës, Rexhë Byberi si dhe për nënkryetarin e kësaj Bashkie, Abedin Kërrnaja, pasi sipas SPAK, ata kanë shkelur ligjin në për ndërtimin e dy rrugëve, duke i shkaktuar buxhetit të shtetit 277.611.520 lekë.
Sipas hetimeve të SPAK, në kundërshtim me ligjin kanë miratuar, “një projekt idenë e rrugës “Stacioni i Anijes Palç- Guri i Lules”, nga ku rezulton se është miratuar në parim Projekt ideja për ndërtimin e rrugës auto “Stacioni i Anijes Palç- Guri i Lules”, me një gjatësi 3.2km, totalisht ndërtim i ri i cili 80% të kësaj gjatësie kalon nëpër rrugën këmbësore ekzistuese.
Vendim i Prefektit të Qarkut Kukës me Nr. 2/31 Prot. datë 15.04.2021, me të cilin konfirmohet ligjshmëria e vendimeve Nr. 34 të Këshillit të Bashkisë Tropojë për ndërtimin e rrugës auto “Stacioni i Anijes Palç- Guri i Lules” dhe Vendimit të Këshillit Bashkiak Nr. 35 datë 30.03.2021 Për miratimin në parim të projekt idesë së rrugës “Qafë Murrizi- Qafë Agri”.
Këto punime janë bërë në kundërshtim me aktet ligjore dhe nënligjore të cituara më sipër. Konkretisht për kryerjen e punimeve të cituara më sipër, në bazë të VKM-së 408 datë 13.05.2015 (e ndryshuar) për hapjen e një rrugë të re subjekti i interesuar duhej të aplikonte në sistemin elektronik e-leje, pranë Bashkisë Tropojë, si institucion vendor që ka tagrin të shqyrtojë dhe miratojë lejen e ndërtimit të infrastrukturës, pasi të ketë verifikuar plotësimin e dokumentacionit të nevojshëm tekniko-ligjor nga aplikuesi që parashikon legjislacioni për këto lloj punimesh. Konkretisht në nenin 15 të VKM nr. 408 datë 13.05.2015 (e ndryshuar) janë saktësuar dokumentet tekniko-ligjor që duhen depozituar në sistemin e-leje, gjatë aplikimit të kërkesës për leje ndërtimi të infrastrukturës. Gjithashtu, Bashkia Tropojë duhej të bashkëvepronte me institucionet e tjera kompetente për ndërtimin e rrugës sic janë: Agjencia Kombëtare e Mjedisit, për nevojën e hartimit të Raportit të Vlerësimit të ndikimit në mjedis, të bashkëvepronte me Ministrinë e Linjës (parashikuar në sistemin elektronik e-leje) për impaktin e ndërtimit të rrugës së re dhe pasojat e këtyre punimeve të ndërtimit. Ky bashkëveprim parashikohet në nenin 20, pika 6 të VKM nr. 408 datë 13.05.2015 (e ndryshuar)”.
Në kuadër të veprimeve hetimore, nga ana e SPAK është caktuar kryerja e aktit të ekspertimit teknik-topografik.
Nga kryerja e aktit të ekspertimit ka rezultuar se hapja e rrugëve sipas projekteve të miratuara nga Këshilli Bashkiak është bërë në kundërshtim me aktet ligjore e nënligjore në fuqi duke sjellë një dëm prej 277. 611.520 (dyqind e shtatëdhjetë e shtatëmilion e gjashtëqind e njëmbëdhjetëmijë e pesëqind e njëzet) Lekë.