MENU
klinika

Aleksandar Vuçiç: S’e kam parë ende dokumentin...

SHBA sanksione industrisë së naftës në Serbi

14.12.2024 - 16:40

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, ka thënë se nuk e ka parë ende dokumentin zyrtar që tregon se Shtetet e Bashkuara i kanë vendosur sanksione industrisë së naftës në Serbi (NIS), mirëpo ekziston “në lloj konfirmimi zyrtar” që vendimi do të hyjë në fuqi më 1 janar, për shkak të pronësisë ruse.

“Kemi një lloj konfirmimi, mirëpo na duhet t’i shohim dokumentet. Nuk i kemi parë ende. Kur t’i shohim dokumentet, do të flasim me amerikanët, më pas do të bisedojmë me rusët”, ka thënë Vuçiç të shtunën për Radiotelevizionin e Serbisë (RTS).

Prej vitit 2008, shumica e kompanisë NIS është në pronësi të kompanisë shtetërore ruse Gazprom Neft dhe kompanisë së saj amë, Gazprom.

Vuçiç ka thënë se nuk është gati të flasë në këtë moment “për mundësinë e sanksionimit potencial të Moskës”.

Presidenti serb ka thënë një ditë më parë se SHBA-ja do t’i vendosë sanksionet kundër NIS-it brenda pak ditësh, për shkak të pronësisë ruse ndaj kësaj kompanie që dikur ka qenë shtetërore.

Sipas tij, edhe britanikët do t’iu bashkohen sanksioneve.

Mundësia e sanksionimit të NIS-it nuk është konfirmuar as nga SHBA-ja, as nga Britania e Madhe.

Sipas të dhënave zyrtare, Gazprom Neft dhe Gazprom gëzojnë 56.15 për qind të pronësisë së gjigantit NIS, ndërsa 29.87 për qind është në pronësi të Serbisë.

Bashkimi Evropian dhe SHBA-ja e kanë futur Gazprom Neft-in në listë të zezë qysh më 2014, pas aneksimit që i ka bërë Moska gadishullit ukrainas të Krimesë.

Prej nisjes së luftës së plotë të Rusisë në Ukrainë, në shkurt të vitit 2022, Beogradi ka refuzuar t’iu bashkohet sanksioneve perëndimore kundër Moskës, dhe vazhdon të kultivojë lidhje me Kremlinin.

Serbia është e varur nga Rusia në sektorin e energjisë, mirëpo ka marrë masa për të diversifikuar rrugët e furnizimit.

Marrëveshja e fundit për furnizim me gaz, e nënshkruar nga Vuçiç dhe presidenti rus, Vladimir Putin, në maj të vitit 2022, skadon në mars të vitit 2025.