MENU
klinika

Situata drejt përmirësimit

Dëbora ‘lë’ Gjirokastrën, kthehen reshjet e shiut

11.01.2019 - 10:19

Në Gjirokastër dy ditë pas reshjeve të dendura të dëborës situata ka shkuar drejt përmirësimit falë edhe reshjeve të shiut që ranë gjatë gjithë ditës së djeshme.

Akset nacionale janë të gjitha të kalueshme pa zinxhirë, në të gjithë qarkun e Gjirokastrës.

Shkrirja e borës ka sjellë edhe hapjen e rrugëve rurale që deri paraditen e djeshme ishin të bllokuara. Vështirësi izolimi paraqesin zonat malore në lartësinë mbi 600 ku bora ka arritur në lartësinë mbi 1 m.

Ditën e djeshme u bë e mundur evakuimi i një fëmije të sëmurë në Kolonjë me mjetin e PMNZSH për në spitalin rajonal.

gjirokaster rikthehet shiukonica.al

Brenda në qytetin e Gjirokastrës rrugët kryesore janë të hapura dhe të kalueshme, ndërsa lagjet e sipërme të qytetit janë ende të izoluara dhe prej tre ditësh tashmë vuajnë dhe problemet me furnizimin me ujë të pijshëm.

Vështirësi qarkullimi paraqiten për kalimtarët, sidomos në rrugët e sokakët e kalldrëmtë. Aktualisht po punohet në rrugët e qytetit për hedhjen e kripës dhe pastrimin e rrugëve.

Probleme janë paraqitur edhe në tregun industrial të qytetit, një investim i kryer nga bashkia korrikun e vitit që kaloi, ndërsa çatia e kësaj ndërtese pikon duke vështirësuar punën e tregtarëve që operojnë aty.

Shkollat vijojnë të jenë të mbyllura dhe mendohet se procesi mësimor do t’i rikthehet normalizimit, ditën e hënë.