MENU
klinika

“Kthehem me buzëqeshje në fushë”

Broja rrëfehet pas dy ndeshjeve të para me Evertonin

16.12.2024 - 20:40

Armando Broja duket se ka gjetur përsëri buzëqeshjen. Sulmuesi shqiptar, po aktivizohet pak nga pak me Evertonin duke gjetur minuta në fushën e lojës, në pritje që të rifitojë formën maksimale dhe të tregojë realisht se sa vlen, ndonëse i ka dhënë që tani sinjalet e para.

Pas paraqitjes së mirë ndaj Arsenalit, në barazimin 0-0, Broja foli për mediat britanike, duke treguar momentin që ka kaluar dhe si e sheh këtë rikthim të tijin në fushën e gjelbër. Ai u shpreh i lumtur sidomos me faktin se te Evertoni ishte përshtatur menjëherë, duke u stërvitur përkrah Dominik Kalvert-Ljuin, i cili është në vitin e fundit të kontratës e mund t’i lëshojë vendin pikërisht sulmuesit të Kombëtares.

“Sulmuesit e tjerë janë të mrekullueshëm. Ata kanë qenë këtu për një kohë të gjatë, veçanërisht Dom. Ai e njeh klubin me detaje, tifozët e njohin gjithashtu dhe ai është një person i mrekullueshëm nga i cili të mësosh.

Ai më ka inkurajuar shumë në stërvitje dhe më ka ndihmuar shumë. Është mirë të shtyjmë njëri-tjetrin dhe të ushtrojmë presion, gjë që krijon një marrëdhënie e shëndetshme. Ai gjithmonë më jep këshilla. Ai mund të mësojë gjëra nga unë dhe unë gjithashtu mund të mësoj disa gjëra prej tij. Unë thjesht përpiqem të luaj lojën time. Unë jam padyshim një djalë i madh, i fortë dhe më pëlqen të vrapoj pas shpinës së mbrojtësve dhe jam mjaft i shpejtë në disa gjëra.

Kam qenë te Çelsi gjithë jetën time, por kam shkuar te Everton, i cili është një klub shumë i madh. Pritshmëritë janë të larta, por edhe mua më pëlqen të kem atë lloj trysnie, më ushqen dhe më bën të luaj më mirë. Lojtarët më ndihmuan të ndihem i mirëpritur. Të gjithë ishin vërtet të mirë me mua dhe më bënë të ndihesha sikur isha menjëherë pjesë e grupit.

Ata më ndihmuan me dëmtimin tim, pasi nuk është një proces i lehtë për t’u kaluar kur vjen në një klub të ri dhe je i lënduar. Ti dëshiron të jesh në gjendje të godasësh menjëherë, të stërvitesh me shokët e skuadrës, të ndihmosh shokët e skuadrës dhe të ndihmosh trajnerin, por qartësisht që nuk mundesha dhe më duhej të isha mjaft i duruar”, tha Broja.

Broja mund të jetë qëndërsulmuesi kryesor i Evertonit nëse qëndron pas këtij edicioni, në të cilin klubi ka kaluar në pronësinë e drejtuesve amerikanë. Por ai theksoi se kur u transferua nga Çelsi, nuk e kishte këtë si prioritet në mendjen e tij.

“Unë nuk u fokusova në këto çështje gjatë transferimit. Po kaloja një periudhë të vështirë me dëmtimin tim. Everton tregoi shumë interes për mua dhe ata më mbështetën kështu që i detyrohem shumë klubit. Ata më ndihmuan shumë gjatë dëmtimit tim dhe më kthyen në formë dhe më kthyen sërish të buzëqesh në fushë, dhe unë jam vërtet mirënjohës ndaj tyre dhe që kalova atë proces rikuperimi të shëndetshëm dhe po ndihem mirë.

Gjëja kryesore për çdo futbollist është vetëm dëshira për të luajtur futboll, të dalë në fushë, të bëjë atë punë që e do. Për mua, unë kam mundësinë të kthehem atje me një buzëqeshje në fytyrën time, të shkoj dhe të ndihmoj ekipin ashtu siç duhet dhe isha vërtet i lumtur që isha përsëri në fushë”, vijoi sulmuesi shqiptar.

Broja ishte mjaft entuziast për paraqitjen ndaj Arsenalit që bëri ai dhe skuadra, duke ndalur një prej pretendentëve për titullin.

“Nuk është e lehtë të vish këtu. Ata janë një klub i madh dhe gjithashtu janë një ekip shumë i mirë. Djemtë luftuan vërtet shumë mirë dhe ishte një pikë e merituar dhe ndoshta mund të kishim marrë edhe më shumë nga loja në 10 minutat e fundit, sepse kur ata shtynin përpara, kishte mundësi. Në përgjithësi, ishte një paraqitje e mirë nga ne, një paraqitje e mirë në mbrojtje, dhe mendova se bëmë shumë mirë dhe jam i lumtur që luajta rolin tim.

Kur trajneri më tha të hyja në lojë, e dija se do të ishte një lojë e vështirë, sepse ata po shtynin përpara dhe donin të shënonin. Ne donim të krijonim raste, por po kalonim një periudhë të vështirë sepse ata po na bënin shumë presion dhe ne kishim nevojë për dikë që të vinte dhe të mbante topin lart dhe të përpiqej të fitonte faulle.

Unë u përpoqa të luaja rolin tim dhe mendova se e bëra mirë, kështu që isha i lumtur që fitova disa faulle dhe e ngrita skuadrën time pak në fushë. Kur trajneri më thërret, unë thjesht përpiqem të ndihmoj sa më shumë që mundem.

Të gjithë lojtarët ishin të shkëlqyer, veçanërisht Miko dhe Jangi, dy mbrojtësit e krahut, ishin të shkëlqyer. Të merresh me Sakan, Trosardin dhe Martinelin nuk është e lehtë, ata janë lojtarë të mirë. Katër mbrojtësit ishin të shkëlqyer, Xhordan gjithashtu dhe treshja e mesfushës, trajneri i vuri në pah të gjithë. Ai ishte plot lavdërime dhe është mirë kur e dëgjon këtë pasi të jep pak nxitje.

Ne e dimë se kemi një seri ndeshjesh të vështira përpara, por kjo është një pikë e mrekullueshme për ne dhe katër pikë në dy ndeshjet tona të fundit ishin vërtet të rëndësishme. Tani e tutje do të bëhet më e vështirë, por nëse do të qëndrojmë së bashku, shpresojmë të marrim më shumë rezultate”, tha Broja në fjalët e tij pas ndeshjes ndaj Arsenalit.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN



Statistikat e frikshme e shpallin mbrojtësin më të mirë të bergamaskëve

Gjimshiti bën 200 ndeshje në Serinë A me Atalantën

Nga oferta 12 milionë euro për ta blerë te Seria A

Mirlind Daku zbulon detaje interesante

“Jamal, e tashmja dhe e ardhmja“

Lionel Mesi zgjedh pasardhësin e tij