MENU
klinika

Apeli i fortë i SHBA-ve

Aleksandër Kasanof: Rekomandojmë zgjatjen e mandatit të Prokurorëve të SPAK!

19.12.2024 - 11:40

Zëvendës ndihmës sekretari i DASH, Aleksandër Kasanof ka bërë një apel të fortë ndaj maxhorancës dhe opozitës, për të votuar ndryshimet kushtetuese në reformën në drejtësi dhe për t’i dhënë mundësinë prokurorëve të SPAK që të rizgjidhen në detyrë edhe për një mandat tjetër 9 vjeçar.

Gjatë tryezës së organizuar me 5 vjetorin e SPAK, Aleksandër Kasanof është shprehur se SPAK duhet të vijojë punën dhe luftën ndaj korrupsionit dhe si e tillë, duhet të garantohet vijueshmëria e kësaj luftë, duke i dhëne mundësinë prokurorëve që të riaplikojnë për një mandat të dytë në këtë institucion.

“Për t’u siguruar që SPAK-u do të vazhdojë pa ndërprerje luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në të ardhmen, ne besojmë se prokurorët e SPAK-ut duhet të lejohen të aplikojnë për të shërbyer sërish pas përfundimit të mandatit të tyre aktual”, theksoi ai.

Aleksandër Kasanof shtoi më tej se dështimi për të realizuar këtë hap, rrezikon të ndërpresë përpjekjen më të suksesshme për të luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin në historinë shqiptare.

“SPAK luan një rol të rëndësishëm, institucioni juaj jep llogari para qytetarëve të Shqipërisë dhe rezultatet tuaja të forta të tanishme pasqyrojnë se sa seriozisht i merr përgjegjësit e tij çdo inspektor apo prokuror. Arrestimet, procedimet penale të jashtëzakonshme, bëri që ata që ishin dukur të paprekshëm të flasin shumë. Puna juaj frymëzon besimin se provat do ndiqen brenda kornizës së ligjit pavarësisht se ku dhe drejt kujt çojnë hetimet.

Asnjë nuk është mbi ligjin. SPAK vazhdon ta mbaj veten si institucion llogaridhënës. Pavarësia e SPAK merret vendimtare dhe është kthyer në institucionin më të besuar në Shqipëri. Institucionet ndërkombëtare kërkojnë ekspertizën e SPAK për të luftuar krimin e organizuar shqiptar në vendet e tyre…

Për t’u siguruar që SPAK-u do të vazhdojë pa ndërprerje luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në të ardhmen, ne besojmë se prokurorët e SPAK-ut duhet të lejohen të aplikojnë për të shërbyer sërish pas përfundimit të mandatit të tyre aktual.

Dështimi për të realizuar këtë rrezikon të ndërpresë përpjekjen më të suksesshme për të luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin në historinë shqiptare, dhe rrezikon humbjen e profesionisteve tuaj më me përvojë dhe njohuri institucionale”, tha Kasanof.

Kujtojmë që kreu i SPAK, Altin Dumani e ka ngritur disa herë këtë shqetësim për mandatin e prokurorëve të SPAK, duke theksuar se atyre u duhet t’u jepet mundësia për një mandat të dytë 9 vjeçar.

Ndërkohë që për të ndërmarrë një hap të tillë, maxhoranca dhe opozita duhet të votojnë ndryshimet Kushtetuese për të mundësuar riaplikimin për qëndrimin e prokurorëve në detyrë për një mandat të dytë.

Pas përfundimit të mandatit sipas legjislacionit aktual, prokurorët e SPAK rikthehen në detyrat që kanë patur në prokuroritë e nivelit të dytë apo në funksionet që kanë kryer më parë.