Dy grupe kriminale të trafikut të drogës janë goditur nga policia e Tiranës, pasi u kapën duke transportuar nëpërmjet shërbimit postar lëndë narkotike nga SHBA dhe Tajlanda në Shqipëri.
Siç shihet edhe në fotot e mëposhtme, droga është transportuar duke e fshehur në kutitë e ushqimit të shpejtë kinez.
Po ashtu, është zbuluar se një pjesë tjetër është gjetur në një pako që përmbante fara për tapet.
Kujtojmë se në kuadër të këtij operacioni ranë në pranga 3 pjesëtarë të dy grupeve kriminale, Ermal Halili, Bruno Lila, si edhe një 17-vjeçar ndërsa u shpallen në kërkim 3 të tjerë.
Gjatë dy operacioneve të ndryshme raportohet se u sekuestrohen 4 kg kanabis me përqindje të lartë TCH, që dyshohet se do të shiteshin në Tiranë dhe në Elbasan.
Njoftimi i policisë:
DVP Tiranë/Finalizohen gjatë 24 orëve të fundit, 2 operacione kundër veprimtarisë kriminale të trafikimit të lëndëve narkotike.
Goditen 2 grupe kriminale që trafikonin lëndë narkotike cannabis sativa nga SHBA dhe nga Tajlanda, në Shqipëri, nëpërmjet shërbimit postar.
Vihen në pranga 3 shtetas, shpallen në kërkim 3 të tjerë, pjesëtarë të këtyre 2 grupeve.
Sekuestrohen 4 kilogramë lëndë narkotike cannabis sativa me përqindje të lartë TCH, që dyshohet se do të shiteshin në Tiranë dhe në Elbasan.
Sekuestrohet edhe një sasi kokaine që u gjet në banesën e njërit prej këtyre shtetasve.
Seksioni për Hetimin e Narkotikëve i DVP Tiranë, në koordinim me Drejtorinë për Hetimin e Narkotikëve në DPPSH, Drejtorinë e Hetimit Doganor, Filialin Qendra Tranzite e Postës Shqiptare dhe Drejtorinë Vendore të Policisë Elbasan, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, si rezultat i veprimeve të kryera me metoda proaktive në kuadër të dy procedimeve për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve”, kanë finalizuar 2 operacione për goditjen e kësaj veprimtarie kriminale.
-Si rezultat i operacionit të koduar “Destinacioni 1” u godit një grup kriminal që trafikonte lëndë narkotike cannabis sativa nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës në Shqipëri, nëpërmjet shërbimit postar. Për këtë veprimtari kriminale, u arrestua në flagrancë shtetasi E. H., 34 vjeç, banues në Elbasan, dhe u shpall në kërkim shtetasi E. D., 24 vjeç.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 2.3 kg cannabis sativa me përqindje të lartë TCH, e parashikuar për t’u shitur në Elbasan, me vlerën 45 000 euro, 170 gramë lëndë e dyshuar narkotike kokainë që u gjet në banesën e shtetasit E. D., shuma parash, celularë dhe automjete të përdorura për këtë veprimtari kriminale.
-Si rezultat i operacionit të koduar “Destinacioni 2” u godit një grup kriminal që trafikonte lëndë narkotike cannabis sativa nga Tajlanda në Shqipëri, nëpërmjet shërbimit postar. Për këtë veprimtari kriminale u arrestuan në flagrancë shtetasit: B. L., 19 vjeç dhe një shtetas 17 vjeç, të dy banues në Tiranë, si dhe u shpallën në kërkim shtetasit B. L., 18 vjeç dhe E. L., 18 vjeç.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 1.7 kg cannabis sativa me përqindje të lartë TCH, e parashikuar për t’u shitur në Tiranë, me vlerën 23 000 euro, shuma parash, celularë dhe automjete të përdorura për këtë veprimtari kriminale.
Vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të këtyre 2 rasteve dhe identifikimin e shtetasve të tjerë të përfshirë.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.