MENU
klinika

Nga New York Times

Trump nuk gënjeu/ Nis tërheqja e trupave nga Siria

11.01.2019 - 13:10

Shtetet e Bashkuara kanë filluar tërheqjen e trupave të tyre nga Siria. Kështu njoftoi sot një zëdhënës ushtarak amerikan, duke diskutuar më tej planet e administratës Trump.

Ndërkohë jo më larg se e diela, këshilltari i Sigurisë kombëtare të Presidentit Trump, John R. Bolton, tha se tërheqja ishte e kushtëzuar nga rrethanat. Kjo pasoi njoftimin e bërë nga Presidenti Trump pak javë m pare, ku ai lajmëronte se do të tërhiqte afërsisht 2.000 trupat amerikane në Siri brenda 30 ditëve.

Njoftimi i papritur u bë në një deklaratë nga koloneli Sean Ryan, zëdhënës i koalicionit të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara kundër Shtetit Islamik. Kolonel Ryan tha se koalicioni kishte filluar procesin e tërheqjes së qëllimshme nga Siria, duke shtuar se ai nuk do të ofronte informacione të mëtejshme rreth afateve specifike, vendodhjeve apo lëvizjeve të trupave.

Ndërkohë, dje, Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo tha se tërheqja e plotë e trupave amerikane nga Siria, e njoftuar nga presidenti Donald Trump muajin e shkuar, do të ndodhë pavarësisht kritikave.

“Vendimi i Shteteve të Bashkuara dhe presidentit Trump për të tërhequr trupat nga Siria është marrë. Ne do ta bëjmë këtë”, tha Mike Pompeo. Pompeo i bëri këto deklarata gjatë një konference për shtyp në Kajro, përkrah ministrit të Jashtëm të vendit, Sameh Shoukry.

Trump ka thënë se trupat janë dërguar për të luftuar Shtetin Islamik dhe se misioni i tyre është pothuajse i kryer.  Ky vendim nxiti dorëheqjen e dy ndihmësve të tij më të mirë, Sekretarit të Mbrojtjes Jim Mattis dhe Brett McGurk, i dërguari i posaçëm presidencial në koalicionin që lufton Shtetit Islamik.

Shtetet e Bashkuara kishin ndërhyrë në Siri për të punuar me milicitë lokale, kurde për të luftuar Shtetin Islamik, i cili kishte krijuar një kalifat të vetëdeklaruar që shtrihej në kufirin midis Sirisë dhe Irakut.

Turqia gjithashtu ka interesa në këtë zonë dhe sheh milicinë kurde atje si një kërcënim për sigurinë kombëtare. Ajo ka dërguar trupat e saj në kufirin sirian dhe ka kërcënuar t’i dërgojë ata në Siri për të luftuar kurdët.

Një tërheqje e Shteteve të Bashkuara do ta bënte më të lehtë për të gjitha ato forca që të nisnin ndonjë konflikt./konica.al