MENU
klinika

Takimi me Pacollin

Gjermania zotohet të mbështesë Kosovën për heqjen e vizave

11.01.2019 - 19:24

Gjermania mbështet liberalizimin e vizave për shtetasit e Kosovës. Ky zotim erdhi nga kreu i diplomacisë gjermane Heiko Mass, gjatë konferencës së shtypit pas takimit me homologun kosovar Behgjet Pacolli në Berlin. 

Mass premtoi se do të angazhohet si tek qeveria e tij ashtu edhe tek partnerët europianë që të miratojnë rekomandimin e Parlamentit Europian dhe të Komisionit për liberalizimin e vizave.

 “Premtimet e dhëna duhen mbajtur. E shohim se procesi i reformave në Kosovë vazhdon me vendosmëri. Ka ende shumë çështje të pazgjidhura në shumë fusha të ndërtimit të shtetit, siç është korrupsioni dhe krimi i organizuar,” tha Mass.

Socialdemokrati Maas nuk flet dot ende zyrtarisht në emër të qeverisë federale, sepse për këtë do të duhet qëndrimi i Ministrisë së Punëve të Brendshme, që drejtohet nga konservatori bavarez i CSU-së, Horst Seehofer.

Ministri Pacolli tha në konferencën e shtypit se pret të vihet në jetë liberalizimi i vizave, ashtu siç është premtuar, ndërsa kërkoi ndihmën e Gjermanisë për procesin e integrimit Europian.

“Kosova është në rrugën e duhur. Tani vendi ka filluar dialogun me Serbinë dhe po punon për t’u anëtarësuar në strukturat euroatlantike dhe në Kombet e Bashkuara,” tha Pacolli.

Gjatë takimit u trajtua edhe çështja e tarifave të vendosura nga qeveria e Kosovës për të gjitha importet serbe. Pacolli përsëriti qëndrimin e kryeministrit Haradinaj se tarifat do të hiqen pas njohjes së shtetit të Kosovës.