MENU
klinika

Reagon Rama

“As Ramiz Alia s’i ka dhunuar studentët ”/ Rama: Janë grupe me axhendë politike

11.01.2019 - 22:43

Kryeministri Edi Rama, në emisionin “Zonë e Lirë” ka folur për protestën e studentëve që ditët e fundit po zhvillohet në një formë tjetër: ngujimi në fakultete.

Rama tha se studentët që protestojnë janë “çeta të nxitura nga doktoresha (Monika Kryemadhi), artisti (Lulzim Basha) dhe nga Kadri Qorri (Arlind Qorri)”.

Arian Çani: A mendon se do hysh në histori si kryeministri që la të goditeshin studentët brenda auditorëve? As Ramiz Alia nuk e ka barë këtë gjë.

Edi Rama: Së pari një herë unë i konsideroj zaptuesit e universitetit….

Arian Çani: Po ata janë studentë…

Edi Rama: S’ka rëndësi kjo. Student nuk është titull, është një status.

Arian Çani: Po ti e di që nuk lejohet policia në auditore?

Edi Rama: Sot në Shqipëri mësimi ka rifilluar normalisht përveçse në tre fakultete, ku tre grushte studentësh tërësisht me agjendë politike, pa asnjë lidhje me protestën, po pengojnë mijëra të tjerë që të hyjnë në mësim. Marr me mijëra mesazhe çdo ditë nga studentë dhe prindër që thonë duam të shkojmë në mësim, ca janë këta që po na pengojnë. Universiteti është hapësirë lire, por nuk ka liri për të cenuar lirinë e tjetrit.

Policia në dijeninë time, unë nuk jam drejtor policie, ka ndërhyrë me kërkesë të Universitetit. Me kërkesë të universitetit policia ndërhyn, si nuk lejohet me ligj. Lejohet me ligj që ç’ke me atë punë. Policia kërkohet nga universiteti, nuk shkon të ndërhyjë vetë.

Si mund të shkosh në universitet ti me 20 veta dhe të bllokosh rrugën dhe të mos lësh të tjerët të bëjnë mësim? Ku është parë kjo? Sikur edhe një njeri i vetëm të dojë të bëjë mësim, ai duhet ta ketë rrugën e hapur. Rrëzimin e ligjit? Le të shkojnë të bëjnë një parti politike le të futen në garë dhe të rrëzojnë ligjin. Nuk rrëzohen ligjet duke bllokuar dyert ndërkohë që mijëra rrinë presin të rifillojë mësimi. Se janë ca çeta atje të nxitura nga doktoresha e shkencave (në referencë për Monika Kryemadhi) dhe artisti (Lulzim Basha) dhe Kadri Qorri, dhe o burra se duam t’i shkojmë deri në fund. Kujt do t’i shkojnë deri në fund. Këta deri në fund do t’i shkojnë vetëm rrugës pa krye për veten e tyre dhe duan të dëmtojnë të tjerët. Si mundet edhe mediat t’i mbështesin këto lloj shfaqesh dhe të thonë se këta nuk preken.