Pas apelit të drejtuar nga banorët e Shishtavecit, bashkia e Kukësit dhe kompania kontraktore kanë mundësuar vetëm këtë të dielë nxjerjen e tyre nga izolimi, duke bërë të mundur hapjen e rrugës që i lidh me qytetin e Kukësit.
Rruga ishte e bllokuar prej ditësh nga bora. Pavarësisht hapjes së saj, kryebashkiaku i Kukësit apelon drejtuesit e mjeteve të bëjnë kujdes dhe të lëvizin me zinxhirë.
Bashkim Shehu ripërsëriti edhe njëherë kërkesën ndaj qeverisë dhe institucioneve përgjegjëse për të riparë procedurën e rrugës Kukës-Shishtavec.
“Janë rreth 500 milion lekë që duhen për mirëmbajtjen, e barabartë me 75% të gjithë buxhetit të Bashkisë.Kjo tregon edhe njëherë se ndarja e re territoriale është një dështim nëse nuk mbështetet nga qeveria dhe institucionet qëndrore.Banorët të bëjnë kujdes, rruga është e hapur për momentin, mjetet të mos lëvizin pa zinxhirë. Ka borë dhe reshje të mëdha.”
Puna për hapjen e rrugëve ka vijuar dhe në Novosejë, njësitë administrative Kalis, Topojan, Terthore, Bicaj, Surroj, Malzi, Bushtricë e Grykëcaje.