MENU
klinika

Formula 1

Hamilton, “pole-position” në pistën e Spa

25.08.2018 - 18:12

Lewis Hamilton me Mercedes ka siguruar “pole position” në pistën e Spa, aty ku ditën e diel do të zhvillohet gara e Çmimit të Madh të belgjikës në Formula 1.

Sesioni i tretë dhe i fundit i provave zyrtare përmbysi dominimin e Ferrarit, pasi shiu që ra gjatë minutave të fundit ndryshoi strategjitë e skuadrave dhe planet e tyre. “Kokëkuqja”, që pat dominuar dy sesionet e para me Kimi Raikkonen dhe Sebastian Vettel, u detyrua të dorëzohet në sesionin e fundit.

Gjithsesi, piloti gjerman Vettel u rendit i dyti dhe do ta nisë garën nesër nga vija e parë, në krah të rivalit Hamilton.

12 minutat e fundit të provave zyrtare u kthyen në një llotari për pilotët, pasi shiu që nisi në momentin që makinat zbritën në pistë përmbysi planet. Pilotët u rikthyen në pistë, por ishin të pavendosur për gomat që do të montonin. Pista nisi të thahej në minutat e fundit, aty ku Hamilton përfitoi me makinën Mercedes, duke ndalur kronometrin në 1’58”179.

Vettel u detyrua të kënaqej me vendin e dytë, por surprizë është vija e dytë e nisjes, me dy makinat Force India që u renditën në vendet 3-4. I treti u rendit francezi Esteban Ocon, që la pas shokun e tij të skuadrës, meksikanin Sergio Perez. Më pas u rendit Romain Grosjean me Haas dhe Kimi raikkonen me Ferrari, ndërsa në vendet 7-8 u klasifikuan dy makinat Red Bull, me Max Verstappen e Daniel Ricciardo. Në “top-10” hynë edhe Kevin magnusen me Has e Valtteri Bottas me Mercedes, por ky i fundit do ta nisë garën nga vendet e fundit, për shkak të penalizimit.