“Aleko i dashur, po të shkruaj sërish për të të thënë se sa u lumturova që të dëgjova për së dyti në telefon.
Edhe pse shumë gjëra s’mund t’ia themi njëri-tjetrit, pasi ti nuk kupton asgjë nga ato që them unë dhe unë nuk kuptoj gjë nga ato që thua ti, prapë është kaq bukur të dëgjoj zërin tënd. Ndihem menjëherë më mirë.
Të falënderoj për përgjigjen ndaj pyetjes sime mbi ‘ç’do të thotë të jesh njeri’ (…) Është një përgjigje e shkëlqyer, më e mirë se poezia e Kipling-ut. Mbase do e përdor duke i shtuar fjalëve të tua këtë pyetje për veten:
‘Po për ty, ç’është një njeri?’. Në mënyrë që të mund t’ia kthej kësisoj: ‘Një njeri është… një krijesë si ti. Është ti’.
Gjithsesi, një pjesëz e përgjigjes tënde më turbulloi. Atë që Andrea përktheu “To love without permitting one love to become handicap”. Në italisht: “Të duash pa i lejuar një dashurie që të kthehet në pengesë”. M’u bë sikur kuptova se këtë ma thoshe mua, jo të tjerëve.
Mirë pra: unë nuk jam dhe s’do të jem një pengesë, një handikap. Unë di se ka dhe gjëra më të mëdha se dashuria e dikujt apo dashuria për një dikë.
Si përshembull, një ëndërr. Si përshembull, një luftë. Si përshembull, një ide.
Shihemi të shtunën. Në rastin më të keq, të dielën. Dhe nëse mundem, më parë (…). Sapo të mbyll punën në Bon, do ndalem në Itali për të përshëndetur nënën time që është e sëmurë.
Menjëherë pas, do fluturoj drejt e tek ti. As mos të të shkojë ndër mend ta braktisësh klinikën pa mbërritur unë. Nëse duhet që të qëndrosh në klinikë, do të qëndrosh në klinikë.
Kurse unë do të të mbaj shoqëri në klinikë me një bashkëbisedim të thellë në greqisht. Ose duke luajtur shah bashkë. Ok? Pritmë. Unë të kam pritur shumë.”
Oriana