Studentët e Shkodrës nuk iu rikthyen auditoreve as këtë të hënë. Ata kërkojnë si pika shtesë uljen nga 30 në 25 kredite për kalimin nga viti i dytë në të tretin, por edhe shkarkimin e Këshillit Studentor.
Auditoret në Universitetin e Shkodrës janë bosh. Studentët nuk janë kthyer as këtë fillim jave në mësim.
E hëna e 14 janarit, studentët e “Luigj Gurakuqit” i gjeti me 2 kërkesa të reja drejtuar rektoratit.
Së pari kërkojnë uljen nga 30 në 25 kredite për kalimin nga viti i dytë në të tretin dhe pika e dytë e kërkeses ka të bëjë me shkarkimin e Këshillit Studentor.
Sipas të rinjve, Këshilli nuk u përfshi në dinamikën e zhvillimeve që pati protesta studentore, duke mos qenë krah tyre në këto ditë.
Të rinjtë janë të vendosur të vijojnë protestat dhe bojkotin për sa kohë sipas tyre qeveria qëndron indiferente dhe nuk plotëson kërkesat e parashtruara që në ditët e para të protestës.