Akoma sot nuk ka asnjë autor për atentatin e një ditë më parë në Vlorë. Ndërkohë pas 5 orësh ndërhyrje kirurgjikale, Mikel Mehmeti, i cili mbeti i plagosur nga ky atentat është nisur drejt Tiranës, pasi gjendja e tij shëndetësore është e rëndë.
41-vjeçari, që u plagos mbrëmë me armë zjarri në një atentat në lagjen Pavarësia në rrugën e Çipajve është transportuar në Tiranë për ndërhyrje të specializuar në një spital privat. Mehmeti mori 3 plumba, në gjoks, mushkëri dhe bark.
Pas 6 orëve në operacion në spitalin e Vlorës gjendja e 41-vjeçarit është e qëndrueshme, por mbetet kritike, pasi i është hequr shpretka.
Mikel Mehmeti mbrëmjen e djeshme dyshohet se u qëllua nga dy persona me breshëri, teksa po udhëtonte me makinën e tij Audi A3 me targa AA 653 VC.
E ndërsa asnjëri nga autorët nuk është arrestuar deri tani, është gjetur makina e tyre e djegur pas atentatit.
Mehmeti është nga Selenica, dhe njihet si anëtar i bandës së Llanajave. Llanajt njihen për masakrën e Çoles, ku pas një sherri në kazino në prill të vitit 2015, u vranë 3 të rinj.
Një nga autorët e masakrës është Aleksandër Llanaj, që po vuan dënimin në burg. Rruga ku ndodhi ngjarja e mbrëmshme njihet si një rrugë ku kanë ndodhur të tjera ngjarje kriminale, ku e fundit ishte vrasja e biznesmenit Vasil Dervishaj më 7 qershor 2018.