MENU
klinika

Krizë institucionale

“Diplomacia në Shqipëri në ngërç”

15.01.2019 - 14:08

Kriza institucionale Kryeministri-Presidencë e ka ҫuar në ngërҫ diplomacinë e Tiranës në aktivitete jashtë vendit.

Ministri i Jashtëm në detyrë, Bushati, anuloi vizitën në Berlin dhe takimin me ministrin e Jashtëm, Heiko Maas, të planifikuar për të mërkurën. Burime zyrtare nga Ministria e Jashtme në Tiranë i thanë Deutsche Welles se ”fokusi i bisedimeve Bushati-Maas ishte procesi i integrimit europian, pritshmëritë e Shqipërisë dhe ecuria e reformave për të hapur negociatat e panimit me BE në qershor të këtij viti, situata në rajon, sidomos në Maqedoni”.

E pyetur për arsyen e anulimit të vizitës së Bushatit në Berlin, Edlira Prendi, zëdhënëse në Ministrinë e Jashtme i tha DW-së, se kjo është bërë “për shkak të situatës, pritjes së ҫdekretimit të ministrit Bushati dhe dekretimit të kryeministrit Rama si ministër i Jashtëm nga Presidenti Meta”.

Bllokimi i ri ka bërë të anulohen edhe takime të rëndësishme për integrimin e vendit. Që nga shkarkimi i tij nga detyra e Ministrit të Jashtëm, në 28 dhjetorin e kaluar, Bushati, ka anuluar disa takime të planifikuara në Bruksel, si ato me Johannes Hahn, Komisionerin për Zgjerim të BE dhe Përfaqësuesen e Lartë të BE, për Politikën e Jashtme, Federica Mogherini.

Të vetmet bisedime zyrtare zhvillohen në Tiranë. Ministri në detyrë, Ditmir Bushati takon të martën ministrin e Jashtëm të Italisë, Emzo Milanesi dhe të mërkurën mnistrin e Jashtëm të Hollandës, Stef Blok.
Përplasja Rama-Meta

Aktualisht diplomacia e Shqipërisë është në pritje të dy proceseve të kundërta: firmosje për shkarkim dhe pranim.

Fjalën tani e ka Presidenti Meta, që duhet të firmosë dy dekretime: të shkarkojë Ministrin e Jashtëm në detyrë Ditmir Bushati, si pjesë e ndryshimeve të thella, në funddhjetorin e kaluar të qeverisë Rama 2, në përgjigje të protestës së studentëve dhe të dekretojë propozimin e ri të Ramës, për të qënë ai vetë edhe Kryeministër edhe ministër i Jashtëm.

Propozimi u paraqit në Presidencë të hënën (14.01.2019) pas skadimit të afatit që Kushtetuta parashikon për dekretime shkarkimesh të anëtarëve të qeverisë.

“Presidenti nuk e ka dekretuar shkarkimin e ministrit të Jashtëm në afatin kushtetues. Shkelje e rradhës që do ta ballafaqojmë bashkë me të tjerat në Gjykatën e re Kushtetuese. Deri atë ditë, që vjen shumë shpejt, unë do të jem „de jure” në këtë rol, sepse s’kemi kohë për të humbur në kërkim të Presidentit”, bëri me dije të hënën Rama.

Presidenti, Ilir Meta i përligj veprimet e tij me vendosmërinë për të kontribuar në funksionimin e një shteti të vërtetë dhe jo të rremë: “Nuk ka më shtet fals. Presidenti në krye të punës. Për Presidentin e para është Kushtetuta dhe sundimi i ligjit. NO MORE FAKE STATE. Shqipëria e para!”, i përgjigjet ai kryeministrit Rama, po në median sociale.

Thellim i krizës institucionale

Gjuha e ashpër dhe akuzat e palëve, njëra për “dhunim të kushtetutës” dhe tjetra për”Fake state” nuk lënë vend për hamendje lidhur me thellimin e krizës mes institucionit të Kryeministrisë dhe atij të Presidencës. Dhe ka pak gjasa që ajo të zbutet në ditët dhe javët në vijim.

Përkundrazi. Gjasat janë që kriza të vazhdojë për muaj të tërë. Shqipëria aktualisht nuk ka Gjykatë Kushtetuese. Kjo gjykatë tani ka mbetur vetëm me një anëtar. Vettingu ka nxjerrë jashtë sistemit gjyqtarë të Kushtetueses që nuk pëqrligjën pasuritë e tyre apo ishin të dyshuar për lidhje me krimin e organizuar.

Të tjerë kanë dalë në pension. Dhe emërimi i gjykatësve për Gjykatën e re Kushtetuese kërkon kohën e vet. Deri atëherë kur kjo Gjykatë do vendosë për fatin e Presidentit Meta, gjasat më të shumta janë që kryemnistri Rama të kryejë edhe detyrën e Ministrit të Jashtëm.

A do ta dekretojë Meta, kryeministrin Rama në detyrën e Ministrit të Jashtëm?

Argumentat janë më shumë për po. Situata të tilla kanë ndodhur edhe në vende të tjera. Rasti më i freskët është ai në Greqinë fqinjë, kur kryeministri Cipras mori edhe detyrën e Ministrit të Jashtëm, Nikos Kotzias, pas dorëheqjes së këtij të fundit, në tetor të vitit të kaluar.

Lidhur me kohën, se kur do ta dekretojë Ramën si Ministër të Jashtëm, Presidenti Meta, deklaroi të hënën, se i duhet ”kohë e mjaftueshme për t’u këshilluar dhe dhënë një vlerësim të plotë, në respekt të Kushtetutës, marrjes në konsideratë të çdo kërkese të vetë Kushtetutës për të dhënë përgjigje të qartë, të plotë dhe shteruese për kandidatin e vetëpropozuar”./ D.W

“Në rrugën drejt Shqipërisë 2030!“

Rama, të dielën takim me shqiptarët në Londër

Lejuan personin e tretë misterioz në makinën e viktimave të largohej

Masakra në Dobraç/ Gjykata jep vendimin për 4 efektivët e “Shqiponjave”

“E gjithë Shqipëria në Tiranë!”

Berisha njofton protestën e radhës