Klement Balili kishte mbi 2 vite në arrati. Ai u shpall në kërkim që prej muajit dhjetor të vitit 2016. Policia e Shtetit ka zhvilluar 15 operacione për kapjen e tij, por nuk janë finalizuar me sukses. Shpesh ato janë dekonspiruar.
43-vjeçari u prezantua nga mediat greke si ‘Escobari i Ballkanit’, ndërkohë që në Shqipëri ai ka qenë për 2 vite Drejtor i Drejtorisë së Transporteve në qytetin e Sarandës në 2016, emëruar nga LSI-ja.
Pikërisht në 2016-tën, mediat greke pohuan se një sasi prej 700 kilogram Cannabis Sativa që u sekuestrua asokohe në vendin helen, i përkiste Kelment Balilit. E pikërisht këtë vit nisi edhe historia e Balilit.
Hetimi ndaj tij në Greqi, është bërë nga “DEA” amerikane dhe policia greke, asistuar edhe nga policia shqiptare.
Emri i Balilit ishte në qendër të deklaratave të ish-Ambasadorit amerikan Donald Lu. Ai e quajti “magjistari” Klement Balili, ndërsa ka vënë para përgjegjësisë policinë për moskapjen e tij.
Lu me 14 dhjetor 2016: Kam nxitur prej 7 muajsh arrestimin. Perse policia nuk e kap Balilin?
Lu me 5 korrik 2018: Deshtim i qeverise, prokurorise dhe policise.
Por, për kryeministrin Rama, arrestimi i tij nuk ka qenë i lehtë.
Rama me 5 korrik 2018: Nuk është i thjeshte arrestimi. Politika e bëri Drejtor.
Rama me 15 tetor 2018: Të mos presim që Balilin ta kapë Balilin.
Në të vetmen dalje publike në vitin 2016, Balili ka mohuar akuzat e drejtësisë greke e më pas ai u arratis, pasi u shpall në kërkim.
Klement Balili njihet si pronar i disa bizneseve duke filluar nga “Santa Quaranta” në Sarandë, hotel “Olivia” në bregdetin e Butrintit, ndërkohë që së bashku me vëllezërit e tij ka qenë pronar i shoqërisë së sigurisë private “Balili shpk” në qarkun e Vlorës dhe disa bizneseve të tjera.
Të gjitha këto asete u bllokuan, pas shpalljes në kërkim.