Shqipëria do të ulë borxhin publik çdo vit, deri sa të arrijë në 45% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB). Qeveria shqiptare ka miratuar kuadrin makoekonomik dhe fiskal 2020-2022, që sanksionon edhe njëherë parimet dhe rregullat fiskale.
Dokumenti targeton një trajektore rënëse të borxhit publik duke synuar nivelin e borxhit publik neto poshtë 60% të PBB-së në vitin 2021 dhe më tej rreth nivelit 57% në vitin 2022.
Më tej, në çdo ligj vjetor të buxhetit, si dhe në planifikimet e buxhetit afatmesëm, raporti i borxhit publik ndaj PBB do të planifikohet më i ulët se niveli i vlerësuar për vitin pararendës, deri atëherë kur niveli i borxhit të arrijë dhe qëndrojë poshtë nivelit 45% të PBB-së.
Sipas vlerësimeve më të fundit të Ministrisë së Financave, borxhi publik në fund të vitit të kaluar ishte sa 69.1% e Prodhimit Kombëtar.
Në çdo vit buxhetor të planifikuar duhet të përfshihet një kontingjencë e veçantë, prej jo më pak se 0.7% e shpenzimeve totale të buxhetit, për të kompensuar rreziqe potenciale nga luhatjet në kurset e këmbimit ose normat e interesit, me ndikim në nivelin e borxhit.
Të ardhurat nga privatizimi nuk janë pjesë e procesit të programimit buxhetor. Në rastet e arkëtimit ato përdoren, jo më pak se 50%, për uljen e borxhit publik dhe pjesa tjetër për investime publike.