Rreth 100 shqiptarë janë riatdhesuar,pasi nuk kanë përfituar azilin politik e kërkuar në shtetin e Francës dhe Gjermanisë. Shtetasit shqiptarë u kthyen sot me avionë në territorin e Republikës së Shqipërisë.
Zv/ministrja e Brendshme Rovena Voda u bëri thirrje shqiptarëve të qëndrojnë në vendin e tyre pasi sipas saj shanset e përfitimit të azilit të paligjshëm janë ‘zero’.
“U kryen dy aksione ri-atdhesimi të shtetasve shqiptarë azilkërkues nga dy vendet e BE-së, Franca dhe Gjermania. Janë operacionet e para të riatdhesimit për vitin 2019. Në total janë rreth 100 shtetas shqiptarë, të cilët kanë kërkuar azil në këto vende të BE-së, por që sigurisht kërkesat e tyre nuk janë pranuar dhe sot ata janë riatdhesuar në territorin e Republikës së Shqipërisë.
Gjithashtu dëshiroj t’u bëj me dije të gjithë shtetasve shqiptarë përsa i përket legjislacionit të vendeve të BE-së, që ndoshta deri pak kohë më parë ka qenë pak “bujar” në lidhje me kërkesat e shqiptarëve për azil, ky legjislacion tashmë në Gjermani ka ndryshuar, madje do të ndryshojë prapë. Legjislacioni është ashpërsuar dhe është reduktuar koha e procesimit të kërkesave për azil të shtetasve shqiptarë. E njëjta gjë do të ndodhë edhe me Francën. Duke filluar nga janari 2019, legjislacioni francez i ndryshuar ka kaluar në parlamentin francez, shumë shpejt hyn në fuqi dhe ky legjislacion do të ashpërsohet. Kriteret do të jenë shumë më të rrepta, koha e shqyrtimit të kërkesës, pra aplikimit për azil do të jetë shumë më e shkurtër, dhe shtetasit shqiptarë të cilët padrejtësisht kanë aplikuar për azil në Francë, do të kthehen, do të riatdhesohen në territorin e Republikës së Shqipërisë”, përfundoi zv/ministrja.