MENU
klinika

Gjon Buzuku

Dom Gjon Buzuku, ai që guxoi të shkruajë libër shqip

16.07.2018 - 22:44

Gjithë çfarë ne dimë për dom Gjon Buzkun vjen si rrjedhojë e pasthënies së shkurtër të “Mesharit” të njohur e të studiuar shumë. Aty kuptojmë se autori, sikurse lehtësisht mund të arsyetohet, ishte prift dhe kishte të tijën një famulli, pa cituar as cilën e as se ku ishte. Gjithashtu, po në këtë pasthënie, thuhet se babai i tij quhej Bdek.

Figura e tij është plot mister dhe shumë pak, për fat të keq, dihet rreth saj, pavarësisht se studimet e deritanishme kanë provuar t’i shkojnë sa më pranë të jetë e mundur të vërtetave dhe të dhënave të tij biografike.

Nëse lexojmë Padër Justin Rrotën, marrim disa përgjigje mjaft me vlerë. Sipas tij, dom Buzuku u lind në fshatin Ljarje të Krajës në sundimin e Perandorisë Osmane. Kjo është një trevë shqiptare që ende sot gjendet në Malin e Zi.

Ka shumë gjasa që ai të ketë jetuar në një zonë pranë Venedikut, ndërsa për jetën e tij të mëvonshme, pra pas “Mesharit”, ka dyshime se ai mund të jetë bërë murg apo të jetë emëruar nga Selia e Shenjtë si Ipeshkëv i një apo dy dioqezave në veri të Shqipërisë.

Duke parë dialektin me të cilin është shkruar “Meshari”, kuptojmë se ai ishte njohës i gegërishtes të cilën, sikurse studiues të mëvonshëm do të bënin, e barazon me gjuhën e vjetër shqipe duke qenë se, deri më sot, asnjë dokument aq i vjetër nuk është gjetur i shkruar në toskërisht.

Sa për çështjen e të parit libër në shqip apo jo, ka dyshime të shumta të cilat nuk janë zgjidhur ende. Dy figura të shquara që janë marrë me këtë vepër janë Faik Konica dhe Eqrem Çabej dhe të dy kanë lënë të hapur të dy shtigjet, ndonëse për të gjetur fundin e shtegut të “nuk është i pari libër në shqip” duhet ecur më shumë dhe më shpejt se në shtegun tjetër.

Gjithashtu është i çuditshëm fakti se si ekziston vetëm një kopje e këtij libri, kopje që ruhet në Bibliotekën e Vatikanit.

Përtej kësaj, duhet pranuar se dom Gjon Buzuku ishte guximtar dhe është një njeri me vlera të rralla i cili i ka lënë Shqipërisë një pasuri historike të domosdoshme për identitetin tonë kombëtar, pjesë jetike e të cilit është edhe gjuha.

Premiera “13” nën petkun e Sulejman Rushitit

“Kadare, Kuteli, Fishta…të ndërthurur në dramën bashkëkohore”

Erdhi si një mrekulli për publikun shqiptar

Marie Kraja, diva me zërin e pastërt dhe të kthjellët

80 vite nga vdekja e “mbretëreshës së maleve”

Udhëtimi në Shqipëri, ekspozitë me fotot e Edith Durham!

Nga koha e luftës në majën e skenës shqiptare!

Reshat Arbana në gjurmët e një “best seller”-i!