Shënim i Konicës
Dritëro Agolli vdiq 86 vjeç, diçka që është mbi mesataren e jetës së kohës sonë dhe ai nuk mund dhe nuk duhej të jetonte sa mesatarja e shoqërisë. Ai e sfidoi mesataren e jetës, me gjithë dashurinë e tij për disa vese njerëzore, falë të cilave kënaqësia ta përshpejton vdekjen-alkooli dhe duhani… Jetoi disa kohë, disa regjime, por nuk u identifikua kurrë me asnjërin prej tyre. Dhe përfshirja agresive e disa opinionbërësve kundër tij pas vdekjes është dëshmi e kapërcimit që ai i bëri kohërave që jetoi: vepra e Dritëroit, personaliteti i tij ishin aq të mëdha, sa prej kundërshtimit të veprës dhe personalitetit të tij, mund të përfitoje vëmendje ekstra. Kjo lloj kundërshtie njihet në të gjitha kohërat dhe fiton një tjetër përmasë në kohën e mediave sociale.
Sot, në mungesë të tij, diçka mund ta themi lirisht në lidhje me veprën dhe personalitetin e tij. Mbështetur në disa elemente.
Dritëroi prodhoi konsensus të madh politik në vlerësimin e tij
Kurrë, askush si ai në botën e politikës apo të letërsisë deri më sot, nuk meritoi aq shumë nderime personale, krahinore, kombëtare. Askush si Dritëro Agolli nuk prodhoi kaq shumë konsensus vlerësues rreth figurës së tij, nga të gjithë krahët e politikës. Askush si ai, në të gjallë dhe i vdekur nuk po rezulton kaq i dashur nga popullsia rurale dhe urbane e kombit. Askush si Dritëro Agolli nuk po rezulton kaq i dashur nga të gjitha pjesët e kombit. Imagjinoni diçka : në Kosovën e robëruar para 1999, por dhe sot në kohën e lirisë, u krijua emri Dritëro, më saktë u fotokopjua emri Dritëro, që lindi në kokën e babait të tij Riza 86 vjet më parë. Askush si Dritëroi, veçanërisht në këtë moshë nuk po rezulton kaq i dashur për të gjithë brezat. Do doja të veçoja këtu popullsinë e rrjetit, d.m.th., të internetit dhe mediave sociale, që më së shumti është e re : poezitë e tij jetësore, vargjet e tij për jetën dhe vdekjen, fshatin dhe qytetin, bagëtinë dhe njerëzinë, dashurinë dhe tradhëtinë po bëhen virale në këtë popullsi, domethënë, mes të rinjve. Sot të rinjtë duan të duken interesantë duke postuar statuse që ose i kërkojnë, ose i kopjojnë, ose i qarkullojnë me truket e rrjeteve sociale.
Ky është triumfi i individit në kohë dhe në hapësirë. Nuk di a e shijoi Dritëroi këtë triumf të veprës së tij, por besoj se po : duhet ta besojmë se ka vdekur i lumtur nga shenjat e pafundme të nderimit për të, nga të gjitha anët e shqiptarisë. Dikush kujtoi se si fëmijët e Gjakovës i shkruan për të ditur përfundimin e fabulës së tij për ujkun. Më së fundi, në të gjallë të tij, presidenti i Kosovës e nderoi atë me dekoratën më të lartë të shtetit më të ri kombëtar. Dhe ai mori fuqi për të jetuar dhe pak prej nderimit të merituar për këtë poet të lindur në Devoll, që i këndoi aq bukur dhe Drinit.
Askush s’duhet të kujtojë se ndërsa po nderohej Dritëroi, thjesht po bëhej tributi i detyruar ndaj një figure me përmasa kaq të pamatshme si ai. Po bëhej dhe politikë. Por nuk ishte duke u bërë politika e ndarjes ku na shtyn sistematikisht e enjtja parlamentare, llogoret partiake, apo inatet personale për rivalin, apo penguesin e projektit tonë politik që gjendet përballë nesh, kundër nesh. Po bëhej politika e bashkimit.
A kujtoni dikë për të cilin të gjitha palët politike, sociale, krahinore, në këtë anë dhe në atë të kufirit, të gjithë brezat bien dakord se ishte njeri i madh ? Nuk është natyrale për një koment të citohen politikanë vendorë, por ia vlen të citohet presidenti Nishani, që përveç konsideratave për të si poet dhe shkrimtar, e quante :mendimtarin e kthjellët dhe veprimtarin me impakt të pamatshëm publik, i cili me kontributet e tij të rralla në dy periudha historike la gjurmë të pashlyeshme si protagonist i lëvizjeve emancipuese përgjatë më shumë se një gjysmë shekulli, si në art ashtu dhe në politikën shqiptare të epokës së pluralizmit.
A njihni ndonjë personalitet kaq të madh të së majtës shqiptare, nëse doni dhe të të majtës ballkanike, për të cilin bëhet një nderim kaq i madh dhe nga kundërshtarët e tij politikë të së djathtës si Sali Berisha, i cili mes të tjerash e quan atdhetari i flaktë ? Lulëzim Basha, kryetari i PD, thotë se pak shqiptarë kanë ndikuar në ndërgjegjen dhe emocionet tona si Dritëroi i madh.
Janë të rralla momentet kur i jepet të drejtë gjithë këtyre njerëzve që, për më shumë, kanë qenë në llogoren përballë Dritëroit për një pjesë kohe.
Vlerësuesit i ka bashkuar figura e këtij njeriu, që vdiq me portretin e një zogu, me mustaqet e shtuara në portretin e tij të viteve të pleqërisë, që me siguri i ka adhuruar në fëmijërinë e vet.
Është poezia e tij ku të gjithë gjejnë veten e tyre, momentet e tyre jetësore.
Është mesazhi i tij: ulni armët, kapedanë, që sot bashkoi të gjithë.
Dritëroi, emblema e të mirave dhe veseve të tokësorëve të shoqërisë sonë
Dritëroi ishte, mbetet dhe do të mbetet përfaqësuesi më i njëmendtë i popullit, i tokësorëve, i tokës nëse do, për të cilën këndoi shumë, dhe populli, tokësorët, kanë gjithmonë të drejtë mbi mëkatarët e politikës tradicionale.
Dritëroi, me jetën e vet, me veprën e vet, ishe kritik i gjithçkaje penguese të shoqërisë sonë në emulacion të vrullshëm, por dhe alibia më perfekte për veset e bashkësisë sonë kombëtare në të gjithë kohërat.
Si bir i Naimit, si e quante një adhurues i padyshimtë, një viktimë në thonjëza, e bamirësisë tënde kalorsiake dhe proverbiale, prej të cilës përfituan pafundësisht shumë njerëz, Dritëroi është pasqyra ku kjo shoqëri sheh veten e vet, me të mirat dhe të këqijat e veta: me taksën që i ka paguar Carit si Tolstoi, por dhe me veprën emancipuese të përhershme kundërshtuese. Dritëroi ishte përfaqsuesi më besnik i racës sonë. Kjo është arsyeja pse rrallëkush si ty ka provokuar konsensus kaq të madh sa ai.
Njerëzit e stilit, që e duan vlerësimin për krijimet e përsosura në stil, janë ziliqarë për Dritëroin, por dhe të lumtur për triumfin e veprës së tij. Kjo vepër po përhapet masivisht, megjithëse me strofa, d.m.th., me porcione të vogla tipike për kohën e dembelizmit në të cilën jetojmë, në mënyrë virale po përhapet tek brezi i ri. Ky brez, fatmirësisht po gjen veten empatikisht, po njëmendësohet, në gjithë ndijimet e tij të përhapura besnikërisht në vargjet e tua, për jetën, vdekjen, dështimin në dashuri, për kalin, për barin, për kamerierët dhe putanat e rrugës së Dibrës, për pijen dhe moralin. Pra në kohë të përtacisë së rrjeteve sociale, ka mundësi të reja për përjetësim të njeriut të librit.
A nuk është kjo përjetësia, e shumëfishuar prej të rinjve, që po zbulojnë tani Dritëroin? A nuk personifikohet përjetësia në këtë figurë që vdiq si një kalorës i të vërtetës, me dobësitë dhe pasionet e veta?
Dhe diçka në lidhje me të vërtetën: na ka impresionuar transparenca me të cilën ai përcolli ndër ne, momentet e fundit të jetës së tij. Ngjante me një zog që po tretej për të shkuar në amëshim, kur ndërsa mendja ishte në punë deri në çastet e fundit, trupi i drobitur nga mosha dhe veset e duhanit dhe alkoolit, anipse të shëndetshëmm e tradhëtoi. Çka pamë prej Dritëroit, çfarë na treguan prej çasteve të fundit të jetës së tij fizike, ishte dinjiteti i tij për t’u përballur me vdekjen, por dhe frika natyrale për t’iu dorëzuar asaj, i vetëm, në errësirën e saj të pamëshirshme. A nuk ishte për gjithë këto arsye, bash për këto arsye, Dritëro Agolli, njeri ndër ne, njeri si ne, ndoshta më i miri se ne, që i mbijetoi me dinjtet, të gjitha kohërave, të gjitha regjimeve?
Sot më shumë se kurrë Dritëroi është i të gjithëve.
Ka një shembull të triumfit të së mirës dhe së vërtetës në të gjithë kohërat dhe ky mes nesh është Dritëroi. Jo të gjithë mund t’ia mbërrijnë, por edhe nëse jo, e kemi një shembull të këtij triumfi: ky është Dritëroi.
Për të rinjtë vlen diçka: Është për të ardhur mirë që ata po gjejnë një model frymëzimi prej Dritëroit që në të gjitha kohërat ka ndihmuar shumë të rinjtë të kalojnë vështirësitë e jetës, të regjimeve. Mirë bëni, se kjo jetë nuk ka shumë si ai. Mbase ai ishte i vetmi Dritëronjës, me dritën e tij për të gjithë ne.