MENU
klinika

Të modernizuar firmato

Tregu i ‘Medresesë’: Syri të mbushet, mendja jo

26.08.2018 - 12:23

Për të hyrë në Tregun e Medresesë në Tiranë, në rast se është fundjavë, do pak vështirësi dhe kujdes që të anohesh sa majtas-djathtas në lumin e njerëzve që bëhet det. Në ditët e zakonshme deti bëhet përrua, por valë-valë, në orare të caktuara, mund të rikthehet në lumë njerëzish. Punën më të madhe tregu e ka për fundjavë.

Hyrjet mbushin një turmë me njerëz që zgjon instiktin e dëshirës. Gjithmonë janë duke u marrë me atë produkt që dëshirojnë, nuk ësthë ndonjë gjë e madhe po të të shtyjnë, të të shkelin padashur këpucët.

Nuk ka rend e vëmendje në këtë shumësi njerëzish që rendin e vijnë pa rend, në hesap të tyre, për një mall të caktuar. Korridoret e gjera në labirinthin e tregut bëhen më të ngushta, malli është gjithfarësh.
Gjëja e parë që të bën përshtypje, është bollëku i objekteve dhe produkteve që nxjerrin shitësit për të reklamuar mallin e tyre. Nuk do mend të kuptosh që do të bombardohesh me mall gjithfarësh.

Për nga konstruksioni i ngjan një modeli oriental të copëzuar në dhomëza si formë hojesh të ndara njëra me tjetrën o me mur, o me dërrasa, o me beze. I gjithë tregu formon një labirinth. Në qoftë se e ke për herë të parë, kur futesh duhet të shënjosh në mendje me piketime objektesh të caktuara si dhe mënyra për t’u rikthyer përsëri në vendin e caktuar.

Vendi gëlon. Në pamje të parë tregu duket mbytës. Me sy mund të vishesh për gjithë sezonin. Pjesët më të lakmuara janë qendra e tij dhe korridoret e hyrje-daljeve të qendrës.

Tregu ka çdo gjë për të veshur, që nga çorapet e deri te kostumet, që nga abazhurët e deri tek tapetet, nga presjet e thonjve deri te setet e çelësave të punëve të ndryshe mekanike, fustane, këmisha, pantallona, kostume të formave të ndryshme e të njëjta. Marka të shumëllojshme dhe logo gjithfarëshe.

Shumë herë tregtarët kanë nxjerrë krye në formë rebelimi për taksat dhe politikat ekonomike që qeveria ka marrë kundrejt tyre. Së fundmi, një rritje e taksave bëri që tregtarët të shprehnin revoltën e tyre. Tregtarët kanë qenë kundra edhe ndaj opozitës, gjë që lë të mendosh se nuk insrumentalizohen dot politikisht, por duan kushte më të mira.


Problemi i parë që bie në sy të çdo klienti, është pikërisht çmimi. Çmimi është i shtrenjtë. Ai rri pezull për kategori të tëra produktesh industriale.
Në qoftë se do të fiksojmë tri lloje pantallonash të një serie dhe të një marke, do të shikojmë se pothuajse të gjithë tregtarët që shesin pantallona, i kanë këto produkte njësoj krahas produkteve të tjera.
Pantallona doku bezhë, blu ose kafe i kanë mbi 20 mijë lekë të vjetër. Shumë, shumë rrallë mund të gjesh pantallona nën 20 mijë lekë. Ashtu si në të gjitha tregjet e tjera, edhe këtu funksionon “marrëveshja e heshtur” dhe një “dorë e fshehtë”, por jo e ligjësive të tregut, por që mban pezull çmimet edhe me vite.

Nuk mungojnë markat me çmim dhe cilësi të ndryshme, por e njëjta të vret më shumë syrin.
Si mostër e dytë, po të marrim një kategori atletesh do të shohim që shumica e tregut i mbajnë çmimet njësoj për të njëjtat produkte. Nuk ka rëndësi as modeli, as ngjyra dhe as materiali.
Seritë e destinuara për një çmim të rënë dakord do të shiten po njësoj. Këto lloj atletesh variojnë nga 18 mijë lekë e sipër, rikthim i njësojtë edhe për atletet si për pantallonat.


Ka dhe këpucë mbi 25 000 lekë të vjetër që nuk ulen kurrë në çmim. Janë prej lëkure të pastër, po lëkura nuk është platin. Megjithëse qëndrojnë për një kohë të gjatë stoqe-stoqe, ato nuk pësojnë ulje.
Dikur kinezët thoshin se brenda të ndryshmes së shumëllojshme, ka shumë të njëjtë brenda. Dhe nuk e kishin gabim.

Ka male atletesh e pantallonash mbi 20 000 lekë të vjetër, si dhe këmishash që varojnë nga 15 000 lekë të vjetër në 30 000, varet se çfarë ti ofron.

Nga ana tjetër, rroga mesatare e një punëtori të thjeshtë është nga 300 000 lekë të vjetër deri në 500 000 lekë që mund të konvertohen nga 200 në afro 350 Euro. Deri këtu e ka kufirin klienti më i zhumrshëm i zgjojeve të këtij lloj tregu. Duket sikur tregu të vesh me mendje e të zhvesh nga xhepat.Me çmime të tilla ai stepet. Pra, këtu marketingu për treg elitar nuk funksionon. Këtu duhet marketingu popullor, strategji ‘’Volkswagen’’, shit sa më shumë dhe me kufirin më të vogël të fitimit për të xhiruar mallin.

Nga njëra anë klienti do të synojë të ulë sa më shumë çmimin për një blerje të zgjuar, në krahun tjetër shitësi do të gjejë mënyra të zgjuara për të mos ulur çmimin duke manipuluar me to. Të dy do të gjejnë strategjinë e tyre për të zhvatur në mendësi “mbivlerën” e famshme.

Shitësi bën sikur të ul 2 000 lekë të vjetër dhe të detyron për një zgjidhje të zgjuar, kurse blerësit i duket se fitoi nga ky mall në krahasim me mallra më të shtrenjta. Loja nuk mbaron: këtu fillon arti i marketingut, por jo arti i të jetuarit komod.

Problemi themelor nga i cili varet edhe çmimi, është cilësia e mallit. Në radhë të parë malli është o kinez, o turk. Kjo nuk do të thotë asgjë dhe shumëçka.

Nën markimin e këtyre shteteve, fshihet si malli i keq, ashtu edhe malli mesatar, malli i mirë apo malli shumë i mirë. Krahas këtyre ka dhe mall shqiptar të fshehur nën hijen e mallit kinez apo turk. Nuk ka shumësi produktesh nga shumësi shtetesh.

Megjithatë, shumë shtete ballkanike, ku futet dhe Kosova, i kanë çmimet shumë më të ulëta, por si gjithmonë kripa është e lirë, e ha qiraja nga një ‘dorë e padukshme’ rrugës.
Gjithmonë malli i shtrenjtë është i një cilësie më të mirë. Fshihet po nën zë dhe nën mbulesë ‘asamblimi’ i markave të njohura. Sheh gjithfarë markash si: “Gucci”, “Valentino”, “Versaçe”, “Ferrari”, “Nike”, ‘’Adidas’’ etj.
Si ka mundësi që kostoja e punonjësve të “Guccit” të zbresë deri te 20 mijë lekëshi shqiptar, kur kostoja reale e një produkti të tij në çdo shtet shkon dhjetëfish më shumë dhe kur një mall i tij është me mijëra Euro?

Këto etiketa gjithfarëshe shesin mallin, por dhe mjerimin tonë në cilësi dhe estetikë për t’u veshur. Fare mirë një bluzë shkon te 10 000 lekë të vjetër dhe brenda verës ajo prishet e duhet të zëvendësohet. Kjo është për njeriun që kërkon mall të lirë, por po të duash ke akoma më shtrenjtë, xhepat ngurrojnë të nxjerrin lekët.

Kështu funksionon mekanizmi, po të mos prishet malli fabrika mbyllet, leku nuk xhiron, blerësi nuk blen dhe kapitalizmi bie si Argjiroja para syve të lemerisur e të llahtarisur të turqve. Malli dallohet që ka një ndryshim të madh me mallin perëndimor.

Për paradoks, shumica e blerësve nuk konsumon shumë, por sheh shumë. Sa më shumë shtohen shikimet, aq më pak janë blerjet. Duket sikur Argjiroja kapitaliste po ribie e po ribie në humnerë, po nuk ka turk ta shohë.

Fluksi i madh i vizitorëve është në përpjesëtim të drejtë me fluksin e madh të stoqeve të veshmbathjeve. Këtu nuk funksionon ekonomia e tregut. Duhet të ishte e kundërta: fluksi i madh i vizitorëve duhet të ulte tepër fluksin e madh të stoqeve deri në mbarim.

Si avantazh, tregu i madh ka hyrje- daljet në fundjavë që vijnë nga rrethet dhe marrin me shumicë. Por çmimet e mallrave, jo për faj të tregtarëve, nuk ulen shumë për çmime shumice. Kjo bën që produktet në rrethe të jenë më shtrenjta se produktet në tregun e Medresesë që i shet po me çmime të shtrenjta. Sa më në periferi të Shqipërisë të shkojmë, do të shikojmë se çmimet rriten edhe më tepër. Pra ulja e mallit shikon vëngër për nga konkurrenca.

Si ka mundësi që ne shesim me shumicë pantallona, atlete dhe përsëri ato qëndrojnë në shumësi? Të njëjtat marka nga një shitës te tjetri, të njëjtat ngjyra,të njëjtat modele dhe ti ke vetëm diçka plus: sjelljen e shitësve. Në varësi të tyre varet edhe shitja, jo në varësi të mallit, sepse malli pothuajse është i njësojtë. Kush e detyron këtë treg të bombarduar nga shumësia e atlteve, pantallonave që rrinë stoqe? Kjo është karakteristikë për veshmbathjet.

Në hyrje – daljet e shumta të tregut mund të dallosh mirë thirrjet e vakëta të tregtarëve që të ftojnë me përtim e dëshirë të ftohtë për te dyqani i tyre. Ndonjëherë të shikojnë sikur je i njerkës, ndonjëherë nuk të shohin fare, u intereson vetëm leku. Në shumë raste tregtarët të shohin ftohtë, indiferentë, në pak raste të mirësjellur. Ndonjëherë nuk të flasin fare, ose të flasin me prepotencë. Shikojnë si dikur Nastradinin, “binishin” e tij. Sikur janë psikologë vetëm për xhepat e vizitorëve. Raporti i tregtarëve të sjellshëm me ata që janë të ftohtë, është në përjesëtim të zhdrejtë.

Në qoftë se futesh në tregjet e Turqisë, sheh se tregtari atje është si një grua nikoqire, të bën ta ndjekësh dhe t’i blesh me pahir, di të të ftojë e të të përcjellë. Në Shqipëri tregtarët dinë të të përcjellin më mirë se të të ftojnë.

Strategjia e klientit mund të jetë e leverdisshme, në qoftë se i gjen ‘midenë’ tregtarit për një ulje më të madhe të mallit, gjë që tregtari e ka zanat.

Në çfarëdolloj ekonomie, tregtari bën pak ‘pisllëk’, këtu bën ‘pisllëk’, madje e pranon edhe vetë që e bën. Kjo do të thotë se tregtari ka rënë në dëshpërim. Ai është njeri si gjithë të tjerët që do kushte dhe rrethana për biznes dhe punë normale. Këto i mungojnë, ose i pengohen siç është parë nga politikat ekonomike.

Nën zë dëgjon se tregu është fotokopjo e tregut të ‘Çamëve’. Kur shkon te tregu i ‘Çamëve’, dëgjon se tregu i madh i ‘Medresesë’ është fotokopje e tij. Njëri thotë “më ka marrë mallin”, tjetri thotë “është mall i dobët”. Të dy me të njëjtën mall hedhin romuze, po nuk ulin çmimin. Më shumë se tregtarët tanë, çmimet i kanë në dorë dy “mbretëritë”, Kina dhe Turqia që luajnë me çmimet, si me zare tavllash.


Kurse të dy tregjet ankohen se dyqanet e luksit nëpër Tiranë janë fotokopje mallrash të Çamëve dhe Medresesë. Ky imitim dhe bollëk të befason.

Si dikur si ‘të shtëpisë së fëmijës’, edhe sot ky imitim të sjell ndër mend kohën e monizmit në shabllonizëm estetik, të veshur bukur, të gjithë njësoj, ushtri e betuar për të mbrojtur komunizmin, e sot ushtri e tërë delesh mode në radhë për të vënë këmborë ‘’Versaçeje’’.

Futesh i freskët dhe del i lodhur nga një treg ku të mbushet veç syri, por jo mendja.

Futesh shqiptar dhe del kinez i turqizuar shqiptarisht ku lëkura mund të mbaje dhe emrin “Aromë Gucci”.

Ne jemi modernizuar firmato…!

Përgatiti E.K

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN