MENU
klinika

Trafik droge

Krimet e rënda pezullojnë hetimet për Agron Xhafajn

19.01.2019 - 16:35

Prokuroria për Krime të Rënda pezulloi dhe ktheu në polici dosjen penale në kuadër të të cilës po verifikonte rolin e Agron Xhafajt, vëllai i ish-ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj, për përfshirje të mundshme në një rrjet trafiku ndërkombëtar droge.

Çështja penale u çel pas akuzave të vlonjatit Albert Veliu, i njohur me nofkën “Babale”.

Skandali që po hetohet shpërtheu pas publikimit nga ana e Partisë Demokratike, të një materiali audio, ku një person i identifikuar si “bashkëpunëtori x”, fliste për një bashkëpunim të mundshëm me vellain e ministrit të brendshëm të kohës, për të trafikuar hashash nga Shqipëria drejt Italisë.

Më vonë, personi në fjalë, u zbulua se ishte Albert Veliu, i njohur edhe si Berti i Abesë, ish i dënuar për trafik droge. Të njëjtat akuza për Agron Xhafajn, Albert Veliu i bëri edhe përmes një interviste dhënë gazetarit Jetmir Olldashi, e cila gjithashtu u trasmetua nga selia e Partisë Demokratike.

babalja-konica.al

Mbi këtë bazë, prokuroria për Krime të Rënda nisi hetimet për të zbuluar nëse ishte vërtet përpara një rasti të trafikimit të narkotikëve. Por, pas shumë muajsh hetime, institucioni i akuzës nuk ka mundur të grumbullojë prova, mbi bazën e të cilave të ngarkojë me përgjegjësi penale ndonjë person, përfshirë këtu edhe vëllanë e ish-ministrit të Brendshëm. Në këto kushte, prokurori përparim Kulluri ka firmosur për pezullimin e hetimeve. Dosjen në fjalë e ka kthyer në polici, me qëllim kryerjen e veprimeve të tjera hetimore.

Ndërkohë, më herët krimet e rënda zbuluan se audiopërgjimi ishte i rremë dhe se zërin e Agron Xhafajt e kishte realizuar Fredi Alizoti. Ky i fundit, së bashku me Babalen dhe gazetarin Jetmir Olldashi po hetohen për akuzën e kallëzimit të rremë. Alizoti ndodhet nën masën e arrestit me burg, ndërsa Albert Veliu, u arratis ne Kosovë dhe mundi t’iu shpëtonte prangave. Në fund të dhjetorit Babalja u arratis edhe nga Kosova përmes hungarisë dhe sipas avokatit të tij mbërriti në Belgjikë, ku i është bashkuar pjesës tjetër të familjes dhe ka kërkuar azil politik.

Në gjendje të lirë po hetohet gazetari Jetmir Olldashi.