Meliha Doda, një nga interpretueset më të mira të këngës, e lindur me brezin e 1942-it.
Me hyrjen e saj në muzikë, ajo mori veçoritë e një interpretuesje të këngës qytetare vlonjate, nga ku u bë dhe pjesë e të famshmes “Trios vlonjate”, përkrah Reshat Osmanit dhe Konstandin Thanës, me të cilët këngës qytetare i dhanë disa dimensione të reja.
Këtë stil Melihaja nuk e la për më se 6 dekada të plota.
Doda i takonte gjeneratës së rinisë së parë të pasë luftës së dytë botërore.
Meliha Doda kishte fatin të mund të ishte aktive në qarqet kulturore të kohës duke qenë se ishte dhe motër e Xhevdet Dodës, dhe hyrja e saj në muzikë ishte si një urë lidhëse midis muzikës së qyteteve.
Ndonëse me një origjinë jo nga jugu, me mjeshtërinë e saj ajo ja doli të interpretojë këngët vlonjate, stilin e të cilave e rrëmbeu mjaft shpejt.
Në fillim të viteve ’90-të, Doda u shkëput nga jeta e saj artistike dhe skena, por së paku kënga e saj ishte ende në qarqet më të ngushta.
Më 23 dhjetor të vitit 2010, në kuadrin e 55 vjetorit të krijimit të Estradës Profesioniste të Vlorës, Meliha Doda u nderua nga Presidenti i Republikës me Urdhrin “Naim Frashëri i Artë”, “për kontributin e jashtëzakonshëm në zhvillimin e kulturës në këtë qytet”.
Në një nga intervistat e saj teksa flet për jetën para se të futej në muzikë ajo thotë:
“Kam ardhur në jetë në kryeqytetin e vendit. Jam lindur në 1933, në Tiranë. Origjina ime vjen nga Kosova. Nga qyteti, ku formua lidhja e dëgjuar e shqiptarëve në Prizren. Prindërit e mi kanë zbritur nga Kosova aty rreth viteve ’30. Kemi banuar në Tiranë, ku kemi patur një një shtëpi. Nëna ishte një malësore fisnike nga Dibra e Madhe, nga fisi Shehrit. Gërmat e para të shqipes i kam mësuar tek shkolla ”Avni Rustemi”. Atëherë ishte një sistem 7-vjeçare. Deri në vitin e dytë të 7-vjeçares qëndrova në Tiranë.”
Si pasojë e luftës dhe sundimit nazi-fashist, Meliha humbi xhaxhain e saj Xhevdetin dhe i ati u detyrua të largohej drejt Kosovës.
Dhe si të vetmen mbështetje të gjetur së bashku me të ëmën, u vendosën në Shkodër duke qenë se Tirana përbënte rrezik.
Në Shkodër Meliha Doda u fut në shkollën e mesme të cilën e kreu tek “Shejnaze Juka”.
Por qëndrimi në Shkodër nuk ishte përfundimtar duke qenë se më 1952 Meliha mërgoi drejt viseve jugore.
Meliha ishte emëruar mësuese në fshatin Piqeras të Sarandës, por rrugëtimi i saj ndaloi në Vlorë, aty ku dhe ndërtoi strehën e saj.
Duke u përballur me vështirësi, mbi të gjitha ato financiare, jeta po bëhej e pamundur pasi nuk gjendej as punë. Si të mos mjaftonin këto, nëna e saj kishte filluar të sëmurej.
E gjendur në një situatë të tillë Meliha iu drejtua shtëpisë së kulturës.
Meliha vinte nga një familje muzikantësh ku halla ruante një freski për këngën, gjyshi i binte, dajres, xhaxhai violinës, ndërsa babai mandolinës.
Në Shtëpinë e Kulturës, Doda takoi Themistokli Monen.
Ajo ishte evidentuar si këngëtare që kur ishte në Shkodër tek ”Shejnaze Juka”.
Madje, në Shkodër, kur ende ishte gjimnaziste, kishte kënduar me Simon Gjonin, një kompozitor i dëgjuar nga Shkodra.
Me zërin e saj ja doli të sistemohej si mësuese tek shkolla ”1 Maji”, kur ishte vetë 19-vjeçe, dhe pikërisht për këtë fakt u afrua më shumë nga qyteti.
Jo shumë larg u formua estrada muzikore e qytetit, dhe një vend ju ofrua edhe Melihasë. Estrada e Vlorë u formua me 15 vetë. Me mundim dhe këmbëngulje artistësh, M. Ferra, G. Vishi, V. Panozaqi, P. Sava, E. Shtrepi, M. Lako, bënë një estradë që t’i ndihet zëri shumë, por jo vetëm brenda këtij qyteti.
Pas pjesëmarrjes në Estradën vlonjate u krijua dhe treshja fantastike e Vlorës me Reshat Osmanin, Kostandin Thana dhe Meliha Dodën.
Trioja vlonjate u ndërtua e atillë, 2 burra ishin marrësi dhe një lloj hedhësi të këngës, dhe Melihaja ishte zëri i gruas, një formë e këngës popullore me konture të grupit lab.
Trioja vlonjate ishte forma e parë në atë kohë e më vonë nxori Gjirokastra dhe Lushnja.
Trioja vlonjate në ditën e saj të formimit përbëhej nga mosha më e re e këngës.Reshati ishte 25 vjeç, Kostandini 26, dhe Meliha 22 vjeçe.
Kënga e parë e trios vlonjate ishte “Ku këndojnë zogat o”. Burimi i saj ishte marrë nga fshati Kaninë.
Më vonë filluan edhe të bënin turne.
Në 1957 i dërguan në Moskë në një koncert në festivalin e Moskës ku morën çmimin e tretë.
Këngët e trios nën atë qetësi të stëpave ruse, ishin nje magjepsje.U zhvilluan disa turne nëpër BS.
Këngët ishin “Hajde moj kumbull vlonjate”, “Vajza myzeqare”. Kur u hap për herë të parë festivali i këngës në fundvitin 1961, Meliha këndoi dy këngë. “Këndoj” ishte një kompozim i Avni Mulës dhe kënga “Vashëzo” e N. Uçit. Shtypi bëri vlerësime të rëndësishme, duke e konsideruar dhe si ‘Milva’ e Shqipërisë
Në 1964 bashkë me trion shkuan në festivalin e Mesdheut në Egjipt, ku morën çmimin e dytë si dhe bëne turne në Algjeri dhe Marok.
Me rritjen e famës së trios Meliha mori shumë peshë dhe në estradë.
Doli kënga “Arom portokalli” me kompozitor Reshat osmanin, e cila u bë hymni i Vlorës.
Më vonë mori pjesë dy herë në festivalin kombëtar të Gjirokastrës, dhe një çmim e rrëmbeu në qytetin e Durrësit me këngënkënduar “Jam shqipja e tokës labe”.
Qëndrimi i saj si këngëtare profesioniste në estradë zgjati deri në vitin 1968.
Nga estrada e hoqën 4 vjet martesë dhe e dërguan mësuese tek shkolla “Teli Ndini”.
Megjithatë ajo këndonte çdo natë deri në shtatëzaninë e saj.
Paskëtaj Meliha përfundoi edukatore tek kopshti i shkollës “ Naim Frashëri”, ku punoi deri në pension.
Me ikjen e viteve, në periudhën e ’83-shit, edhe trioja vlonjate u zbeh.
Ylli i trios Vlonjate u nda nga jeta në moshën 79-vjeçare, 7 vite më parë, më 21 korrik të vitit 2012 në Vlorë.