Gjyqtarët që janë aktualisht në dy Gjykatat e Krimeve të Rënda të Shkallës së Parë dhe Apelit kanë shprehur dëshirën për të qenë përkohësisht pjesë të Gjykatës Antikorrupsion.
Mendohet se ata kanë dorëzuar një shkresë ku pranojnë që ata dhe familjarët e afërm të tyre ti nënshtrohen kontrollit periodik të llogarive të tyre financiare dhe i komunikimeve vetjake.
Të hënën e 21 janarit Gjykata e Shkallës së Parë për Krime të Rënda dhe ajo e Apelit do të bëjnë zyrtare numrin e gjyqtarëve, të cilët kanë dhënë miratimin për të qenë përkohësisht pjesë e Gjykatës së Antikorrupsion.
Pas ngritjes së Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe Këshillit të Lartë Gjyqësor, institucionet e reja që pritet të ngrihen janë edhe Gjykata Antikorrupsion dhe Prokuroria e Posaçme.
Sipas Kushtetutës, Gjykata e re duhet të konstituohet dy muaj nga ngritja e Këshillit të Lartë Gjyqësor.
Pas vendimit te KLP, Gjykata e Krimeve të Rënda ka nisur procesin e transformimit në Gjykatën Antikorrupsion. Në dispozitat kalimtare është parashikuar se fillimisht në këtë gjykatë do të kalojnë gjyqtarët aktualë të Krimeve të Rënda. Nëse pranojnë, ata marrin një emërim provizor për këtë gjykatë deri në formimin e gjykatës së re.
Por dhënia e pëlqimit nga ana e këtyre gjyqtarëve do të thotë se ata dhe familjarët e tyre do të jenë në një regjim të rreptë kontrolli dhe mbikëqyrjeje, që nga rishikimi periodik i llogarive të tyre financiare dhe deri te kontrolli i komunikimeve vetjake.
Ndërkohë që nga Prokurorët e Krimeve të Rënda kanë aplikuar për të qenë pjesë e SPAK Besnik Muçi dhe Klodian Braho që janë aktualisht prokuror të krimeve të rënda.