MENU
klinika

Të vitit 1988

Dy poezitë e fshehura e të pabotuara të Dritëroit

20.01.2019 - 23:47

Dy poezi të vitit 1988; jo shumë i largët si vit; në prag të këmbimit të sistemeve.

Janë vitet e kritikës së tregimeve Nipi Plangprishës apo Martesa e papritur e Pasho Velçanit (1986) . Edhe këto dy poezi janë mesa duket ato të fshehurat e të pabotuarat.

dy poezite e pabotuara-konica.al

Lutje natyrës

Natyrë,
Ftomë në gjirin tënd ngaherë,
Merrmë e prishmë prehje e paqe,
Thirrmë në vapë e në shi, në zheg e në erë,
Se s’dua të ble farmacive ilaçe.

Natyrë ,
Hiqmë nga farmacitë një orë e më parë ,
Ndamë nga diagnozat e shtira,
Që na caktojnë ca njerëz të marrë
Me frymë të ndotura dhe të pështira…

Natyrë,
Këto farmaci janë të shpikura në jetë,
Ato në vend të ilaçeve kanë fjalime të paketuara,
Që i pimë për t’u bërë të qetë
Ndaj halleve të trazuara…

Natyrë,
Të lutem, më bëj një të mirë,
Më hiq nga kjo botë, farmaci e pështirë!…

1988

dy poezite e pabotuara-konica.al
dy poezite e pabotuara-konica.al

Të lindet fëmija

Të lindet fëmija, pa emrin ia gjejmë brenda një dite!
Po prapë kjo s’është një punë aq e lehtë,
Se emrin njeriut ia vemë ta mbajë me vite,
Se emrin njeriut s’ia ndërrojmë si shkronjēn në letër.

Për nënën emri ka pak rëndësi në çastet e dhimbjes,
Madje dhe mendja tek emri s’i vete,
Mbi nënën ngrihet flaka e lindjes,
Dhe flaka e merr me vete.

Po prapë emri s’është një punë aq e lehtë,
Se vjen pas një flake që del nga zemra dhe hyn në zemër,
Ndaj nëna kërkon që fëmija në jetë
Emër të ketë dhe të bëhet me emër …

1988