MENU
klinika

Nuk parashikohet në Buxhetin 2019

Anulimi i Thumanë- Kashar, asnjë efekt financiar këtë vit

21.01.2019 - 16:46

Qeveria shqiptare u tërhoq të hënën nga një prej projekteve më të mëdhenj të programit ‘1 miliard euro për rindërtim’, rrugës Thumanë-Kashar. Ministrja e re e Infrastrukturës, Belinda Balluku, në daljen e saj të parë publike, tha se 225 milionë eurot që qeveria do t’ia paguante firmës Gener 2 për ndërtimin e kësaj rruge, do të shkojnë për arsim dhe do të financojnë të ashtuquajturin ‘Pakt për Universitetin’.

Megjithatë, fakti është se, të paktën për vitin 2019, në buxhet nuk është parashikuar asnjë pagesë për këtë rrugë. Kontrata e nënshkruar në korrik të vitit 2018 nuk parashikonte transferta nga buxheti për vitin e parë. Nisja e punimeve do të bëhej me paratë e firmës kontraktore, Gener 2, ndërsa pagesat nga buxheti do të fillonin vetëm në vitin 2020.

Rrjedhimisht, ky rialokim i fondeve nuk do të ketë efekt afatshkurtër në drejtim të përmbushjes së premtimeve të qeverisë për arsimin e lartë.

Në ‘Paktin për Universitetin’, qeveria prezantoi një sërë masash që do të kenë efekt financiar në buxhet, si subvencionimi i traifave të studimit, përmirësimi i gjendjes së konvikteve, bibliotekave dhe laboratorëve apo ofrimi i kartës së studentit.