“Nuk resht dot së dashuruari”, – letra e dashurisë që Lord Bajroni i kushtoi të shtrenjtës së tij, Tereza Guiccioli
George Gordon Noel Byron (1788-1824) i mirënjohur si Lord Bajroni, ishte poet dhe politikan anglez. Poezia e tij, e përhapur rrufeshëm në të gjithë Evropën, u konsiderua si thelbi i romanticizmit.
Në vitin 1817 Lord Bajroni u zhvendos në Venecia dhe pikërisht atje, në 1819, u takua me konteshën e re Tereza Guiccioli, gruaja e kontit Alessandro Guiccioli. Lord Bajroni u dashurua marrëzisht pas tetëmbëdhjetëvjeçares.
Qe një marrëdhënie pasionante, aq sa Tereza u nda nga bashkëshorti për të shkuar pas të dashurit të saj. Megjithatë, dashuria e tyre nuk kishte e destinuar të ishte jetëgjatë.
Pesë vjet pas takimit të tyre të parë, Bajroni vdiq, duke e lënë konteshën kryekëput të dekurajuar. Tereza u rimartua, por Bajroni mbeti dashuria e saj më e madhe. Pikërisht për këtë arsye, duke shpërfillur marrëveshjet sociale, vendosi të shkruante një biografi për njeriun që aq shumë e kishte dashur.
Punimi “Jeta e Lord Bajronit në Itali”, nuk u publikua kurrë, por u ruajt me një fanatizëm të jashtëzakonshëm nga Tereza në një kuti, së bashku me disa objekte të tjera që i kujtonin dashurinë e humbur.
Poeti francez Alfred dë Myse, e krahason dashurinë mes Bajronit dhe Terezës me atë të Dantes dhe Beatriçes: “flokët e praruar, vetullat e gështenjtë, ballin e përflakur ose të zbehtë / Dante dashuroi Beatriçen – Bajroni Guiccioli”. Më poshtë po japim një letër të Bajronit dërguar të dashurës së tij.
“E dashur Tereza!
E lexova këtë libër në kopshtin tënd. E shtrenjta ime, ti nuk ishe aty, përndryshe unë nuk do kisha mundur ta lexoja. Është një nga të preferuarit e tu dhe shkrimtari ishte një mik i imi. Ti nuk ke për t’i kuptuar këto fjalë në anglisht, edhe të tjerët nuk do t’i kuptojnë, kjo është arsyeja pse nuk i shkruajta ato në italisht.
Por do të njohësh kaligrafinë e atij që të deshi plot pasion, dhe do të kuptosh se, në një libër që ishte i juaji, ai mund të mendonte vetëm për dashurinë. Në këtë fjalë, e magjishme në të gjitha gjuhët, por veçanarisht në gjuhën tënde – Amor mio (Dashuria ime) – ekzistenca ime është përhumbur një herë e përgjithmonë.
Mendoj se unë ekzistoj këtu, dhe ndjej se do të ekzistoj edhe më pas, qëllimin e së cilës do ta vendosni vetëm ju; fati im prehet në dorën tënde, dhe ju jeni një bukuroshe tetëmbëdhjetë vjeçare, e cila e la konventin veçse dy vjet më parë.
Do të kisha dëshiruar të kishit qëndruar atje, së bashku me zemrën time, ose, të paktën, të mos të të kisha takuar në statusin e një gruaje të martuar. Por për këtë tashmë është tepër vonë. Unë të dua dhe ti më do, të paktën kështu thoni, dhe veproni sikur më doni, e cila, prapëseprapë, është një ngushëllim i madh.
Por unë të dua edhe më shumë dhe nuk resht dot së të dashuruari. Mendoni për mua ndonjëherë, kur Alpet dhe oqeani na ndajnë, por nuk do të jetë përherë kështu, vetëm nëse ti do dëshiroje të ishte kështu”.