Kampioni i botës në boks, filipinasi Manny Pacquiao, mbrojti titullin kampion bote të kategorisë WBA në duelin e zhvilluar më 18 janar ndaj Adrien Broner në Las Vegas.
Gjithsesi, ky sukses mund t’i kushtojë rëndë 40-vjeçarit (61 fitore, 7 humbje e 2 barazime në karrierë), që mund të tërhiqet përgjithnjë nga sporti. Ky duel i ka shktuar një dëmtim të rëndë në sy boksierit filipinas.
Pak orë pas duelit, boksieri është shfaqur në publik me syrin e majtë të fashuar dhe mësohet si ka pësuar një dëmtim në retinën e syrit.
Mësohet gjithashtu se Pacquiao nuk ka kryer asnjë ndërhyrje kirurgjikale në sy apo zonën përreth, por do të shkojë në vendlindje për një ekzaminim tjetër.
Ndaj, ende nuk dihet shkalla e dëmtimit dhe nëse ai është i rëndë aq sa të kërcënojë karrierën e boksierit. Fakti që Pacquiao, pas duelit, ftoi për revansh mikun e tij Floyd Mayweather, tregon se dëmtimi ndoshta nuk është i rëndë.
Gjithsesi, fotot e publikuara pak orë pas duelit, me filipinasin që kishte syrin e fashuar tregojnë se gjërat nuk janë aq të thjeshta sa duket.