MENU
klinika

Nga Dorian Koçi

80 vjet pa Migjenin

26.08.2018 - 15:57

Si sot 80 vjet më parë Migjeni u shua në një spital të Torinos. Poetët janë si varka me vela që lundrojnë në detin e pafund të poezisë, ikin larg dhe afrohen përmes simboleve dhe metaforave të poezisë së tyre, por Migjeni ka 80 vjet që era e shtyn përherë drejt brigjeve tona.

“Kanga e Rinisë”, mbetet poezia më emancipuese e letërsisë shqiptare, ashtu si me “Poemen e Mjerimit” ku zbuloi plagët tona të përhershme. Migjeni është tërësisht shqiptar në krijimtarine e vet, sepse si askush tjetër penetroi në koinine shpirtërore shqiptare.

Teoricinët letrarë që ende kërkojnë në ADN e tij për të gjetur gjak sllav, poeti u ka lënë si testament të tij, shkrimin e fundit në prozë ku ndersa kapërcente Adriatikun për të shkuar ne Itali për t’u kuruar, rreshtat e fundit i shkruante për Skënderbeun, heroin tonë kombëtar.

Letërsia është e pakufishme në hapësirat qiellore të saj. Në të lindin e shuhen meteorë që ndriçojnë epokat, zhyten në errësirë, ringjallen sërish ose dhe harrohen në tisin e kohës. Ky realitet i vërtetë për letërsitë e mëdha mund të mos ketë luksin të zbatohet dhe për letërsitë e vogla, por pavarësisht këtij fakti ashtu si ligjet e universit janë njëlloj për të gjithë edhe ligjet e brendshme të zhvillimit të letërsive duam nuk duam janë të vlefshme dhe për letërsinë tonë.

Kur hartoheshin antologjitë e trasha të letërsisë bashkëkohore shqipe në kohën e Realizmit Socialist, dukej sikur një radhë veprash voluminoze do të ishin të përhershme, ndërsa vepra modeste në numër e Migjenit nuk do i përballonte tisit të kohës.

Në të vërtetë ka ndodhur e kundërta, letërsia voluminoze e frymëzuar nga tezat e Zhdanovit (ç’paradoks, një gjeneral që pretendon se mund të prodhonte manual për zhvillimin e letërsisë) është tashmë një relike e një kohe të shkuar dhe mund të studiohet si kuriozitet sociologjik, ndërsa vepra e Migjenit vazhdon ende të jetë e freskët dhe të përcjellë mesazhe në realitetin shqiptar.

Një pyetje sigurisht mund të shtrohet vetvetiu kur konstaton këtë fakt. Përse vepra e Migjenit vazhdon të mbetet e freskët? Përse vazhdon të apelojë çdo brezni shqiptare? A është problematika që ngre Migjeni aktuale dhe me këtë rast vepra e tij vazhdon të apelojë në opinionin publik apo ai si shkrimtar ka pasur një hije profetike që mund të parashikonte ngjarjet?

Kjo e dyta ka pak gjasa të ngjajë, pasi as Migjeni nuk e ka pretenduar një gjë të tillë, por edhe po të kishte ndodhur vetë vepra e tij antikomformiste nuk do ta pranonte.

Problematika sociale që ngre Migjeni në veprat e tij ka lidhje me emancipimin e shoqërisë, diçka që në realitetin tonë vazhdon ende të jetë problematike. Shoqëria jonë ndodhet ende në zhvillimin e saj industrial, në stadin e një kulture materialiste që dominon në çdo aspekt të jetës sonë publike ku sigurisht nuk është çudi që të gjesh sërish galerinë e personazheve të Migjenit.

Luli i vocërr i Migjenit që dëshiron të ndjekë shkollën, por është shumë i varfër dhe është pothuajse zbathur mund të ketë ndryshuar vetëm në arsyen se ai mund të gjejë shumë më kollaj një palë këpucë të përdorura në tregun popullor dhe t’i shpëtojë përkohësisht mjerimit, por në thelb ai mbetet i  njëjti, i përjashtuar dhe pa shanse të barabarta si Luli i vocërr i Migjenit.

Nga ana estetike, Migjeni përfaqëson një uragan të vërtetë, që vjen bashkëkohës me shkrimtarë të tjerë në botë, por dhe shumë i veçantë për realitetin e vjetër, provincial e arkaik shqiptar. Përpara se Migjeni të hyjë në poezinë shqipe, poezia shqipe në vetvete vuante nga patriotizmi folklorik (i pashmangshëm në fillimet e letërsisë shqipe të Rilindjes, por që tashmë ishte kthyer në një eter asfiksues) që përfaqësohej nga uniformiteti i vargut 8-rrokësh popullor.

Rimat e detyruara, fjalët e mbushura me origjinë nga gjuhët otomane dhe greke përfaqësonin në dukje një rregull që nuk ekzistonte në botën shqiptare, një tip bejtezimi që kishte betonizuar fjalën shqip në kërkim të motiveve klasike, derisa shfaqet Migjeni që me vargun e tij të lirë tregon dhe dëshmon kaosin e botës shqiptare.

Migjeni me instinktin e një poeti të ri, e kupton se koha e klasicizmit të trashëguar nga letërsitë e mëdha pjesë të kurrikulave ku ishin formuar të gjithë ata që merreshin me poezinë shqipe ka kaluar dhe se fjala shqip kërkon ritme dhe tonalitete të tjera për të përfaqësuar më mirë botën e brendshme të njeriut shqiptar që nga sistemi i mileteve të Perandorisë Otomane po dilte në dritën e individualizmit dhe përsosjes së vet morale.

Sigurisht, në gjithë këtë rrugëtim të këtij njeriu që po përpiqet të urbanizohet bën pjesë dhe solidariteti etnik, diçka që duket sikur pothuajse mungon në poezinë e Migjenit, mungesë që shpesh herë ka dhënë shkas për interpretime ekstra akademike për origjinën e Migjenit dhe influencën e kulturës së fqinjëve sllavë veriorë në poezinë e tij. Por Migjeni edhe në këtë drejtim është i veçantë.

Sikur ta ketë kuptuar këtë hije dyshimi që do të ngihej mbi veprën e tij, ndërsa është duke udhëtuar drejt Torinos për të kuruar, mbi Adriatik shkruan prozën e fundit të vet që ia kushton Skënderbeut, heroit kombëtar të shqiptarëve, figura e të cilit kishte shërbyer gjatë Rilindjes Kombëtare si figurë që kishte realizuar solidaritetin etnik të shqiptarëve në rajon.

Zgjedhja e kësaj figure për ta bërë pjesë të prozës së vet është vërtet interesante dhe akoma më integrues bëhet fakti nëse do të kishim ndonjë mundësi për të supozuar apo hedhur një vështrim për arsyen që e shtynte këtë shkrimtar që shkruante kryesisht dramat moderne të shpirtit njerëzor shqiptar, të shkruante rreth një figure mitike që kishte mbledhur rreth vetes kaq shumë patriotizëm folklorik.

Ç’të ketë menduar vallë ndërsa kapërcente Adriatikun për t’u kuruar në brigjet përballë se ndoshta ky det që i ndante të dy brigjet kishte qenë një urë komunikimi ku kishin kaluar dhe ishin ndërsjellë, motive, ngjarje, histori, fate njerëzish të përbashkët. A po mendonte se po shkonte dhe rikthehej pasi të kishte marrë një shugurim kulturor në Europë njëlloj si Heroi që po kushtonte rreshtat e fundit?

Hamendësimet mund të jenë nga më të ndryshmet dhe sigurisht duke gjurmuar në jetën e një shkrimtari mund të gjesh monopate dhe labirinthe që të çojnë gjithkund dhe askund, por duke pasur si fill të Arianës dashurinë për poezinë dhe prozën e poetit mund të fillosh të rikthehesh në pikën kur e njeh shkrimtarin për herë të parë.

Shumica e njerëzve e kanë njohur atë në rininë e tyre të hershme, atëherë kur shpirti është natyrshëm rebel dhe i lirë dhe si të tillë e ka bërë pjesë të kulturës së vet të përgjithshme, si poet antikomformist dhe si poet të rinisë.

A nuk ka gjë më universale se të përshenjohesh si i tillë në memorien e një kombi? Ndaj për këtë arsye Migjeni vazhdon ende të lexohet, ndaj është nga shkrimtarët tanë më të mëdhenj dhe ende vepra e tij përçon kumte dhe mesazhe emancipuese, ndaj është përjetësisht i pashmangshëm nga letërsia shqipe.

Ngjarja më e rëndësishme e popullit shqiptar

Dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe

Premiera “13” nën petkun e Sulejman Rushitit

“Kadare, Kuteli, Fishta…të ndërthurur në dramën bashkëkohore”

Erdhi si një mrekulli për publikun shqiptar

Marie Kraja, diva me zërin e pastërt dhe të kthjellët

80 vite nga vdekja e “mbretëreshës së maleve”

Udhëtimi në Shqipëri, ekspozitë me fotot e Edith Durham!