MENU
klinika

Dinamika

Përfundojnë hetimet/ Zbardhet sulmi ndaj Policisë në Elbasan

23.01.2019 - 19:48

Pas kalimit të dosjes nga njëri institucion akuze në tjetrin, më në fund Prokuroria për Krime të Rënda përfundoi hetimet lidhur me sulmin e rëndë ndaj policisë së Shtetit, në shtator të 2017, në hyrje të tregut Agroushqimor në Elbasan.

Marjus Lulaj alias Suel Çela, djali i pronarit të tregut Agroushqimor dhe dy miqtë e tij, Enea Bekteshi e Kelmend Xhaferri, do të përgjigjen përpara drejtësisë, për akuzën e “vrasjes së punonjësve të Policisë së Shtetit” mbetur në tentativë e kryer në bashkëpunim.

Në dosjen e prokurorisë thuhet se “mesditën e 18 shtator 2017, të pandehurit Bekteshi dhe Kelmendi, punonjës të tregut, përcollën për në Rinas, djalin e pronarit Marjon, bashkë me familjen. Drejt aeroportit, ata udhëtuan me dy automjete, njëra tip Audi me targë, AA478 PV dhe tip RANGE ROVER, me targa AA 040 OJ, në pronësi të biznesmenit Petrit Celaj. Në kthim, përpara se të hynin në tunelin e Krrabës, policia rrugore ndaloi për verifikim automjetit tip Audi, që drejtohej nga Kelmend Xhaferri. Pas kësaj ata vijuan rrugën.

sulmi ndaj policise ne elbasan-konica.al

Në këtë kohë, në tunelin e Krrabës, drejt Elbasanit, udhëtonte, edhe një automjet tip Fiat Punto, që drejtohej nga Kristaq Peqini, dhe si pasagjer Sokol Tola. Brenda tunelit, ata vunë re se drejt Elbasanit po udhëtonin njëri pas tjetrit tri automjete. Pasagjerit në mjetin e fundit, Tip Golf 6, ata i kishin parë në dorë, një armë zjarri pistoletë, me të cilën godiste xhamin e makinës së tij në formë kërcënuese ndaj tyre, duke e përsëritur këtë veprim disa here.

Duke u ndjerë të kërcënuar, pasi u është afruar edhe drejtuesi i automjetit Range Rover, Sokol Tola i ka telefonuar punonjësit te Policisë, Ervin Ballaci.

“Koli jam më ndihmo, se më kanë dalë dy makina e më kanë bllokuar rrugën ne brendësi të tunelit. Është një Range Rover dhe një Audi me ngjyrë të zezë. Jam i frikësuar”– ka thënë ai.

Pas këtij njoftimi shërbimet e policisë kriminale që udhëhiqeshin nga zv.drejtori i policisë, Elbasan, Gjergj Oshafi, të cilat mbështeteshin edhe nga dy grupe Shqiponja, dolën në Aksion, duke bllokuar hyrje-daljet kryesor të qytetit.

Në rrugën para tregut Agroushqimior, punonjësit e policisë konstatuan në lëvizje në kah të kundërt me ta, automjetin Range Rover dhe i bënë shenjë të ndalonte. Nga krahu i pasagjerit zbriti një person me një radiomarrëse në dorë, të cilën tentoi tja linte rojës së tregut.

Por veprimi u ndalua nga Policia. Nga verifikimet rezultoi se automjeti ndodhej në pronësi të biznesmenit Petrit Cela dhe personat që udhëtonin në të u identifikuan si Ledio Zabeli dhe Endri Copja.

sulmi ndaj policise ne elbasan-konica.al

Policia vendosi ti shoqëronte, edhe pse ata kundërshtonin ashpër. Në këto momente, mbërrin me shpejtësi një automjet tip Audi, me targa AA 795 EP, e cila hyri me shpejtësi mes makinave të policisë, duke goditur njërën prej tyre. nga hetimet e prokurorisë, rezulton se në drejtim të këtij mjeti ishte Suel Cela, djali i biznesmenit Petrit Cela. Pas këtij momenti, dera e Tregut u kyc, për disa kohë derisa mbërriti pronari.

Këto veprime, – sipas prokurorisë vunë në rrezik jetën e oficerëve të policisë, të cilët ndpodheshin në detyrë, e për këtë arsye të pandehurit, duhet të japin llogari përpara gjykatës.

Në dosje bie në sy fakti, se të pandehurit, Cela, Kelmendi dhe Bekteshi, janë hetua edhe për dy ngjarja të tjera kriminale të ndpodhura në Elbasan. Bëhet fjalë për masakrën e 3 shkurt 2016, ku në lagjen Emin Matraxhiu janë vrarë me armë zjarri, Agron Capja, Eno Bedalli, Ardit Sinakolli dhe janë plagosur disa persona të tjerë, si dhe ngjarjes, e datës 6 qershor 2016, ku u plagosën, Bledar Muca dhe Matilda Kermezo.

Por, prokuroria nuk ka gjetur prova për implikimin e tyre në këto krime të rënda.

“Në rrugën drejt Shqipërisë 2030!“

Rama, të dielën takim me shqiptarët në Londër

Lejuan personin e tretë misterioz në makinën e viktimave të largohej

Masakra në Dobraç/ Gjykata jep vendimin për 4 efektivët e “Shqiponjave”

“E gjithë Shqipëria në Tiranë!”

Berisha njofton protestën e radhës