MENU
klinika

Marketet partnere t’i vendosin vetë

Konkurrenca: Conad të mos imponojë çmimet me pakicë

24.01.2019 - 09:18

Autoriteti i Konkurrencës ka urdhëruar ndërmarrjen Conad Albania të mos orientojë çmimet e shitjes me pakicë në marketet partnere të rrjetit të saj.

Conad është aktualisht një ndër zinxhirët kryesorë të dyqaneve të shitjes me pakicë në vend. Rrjeti operon përmes marrëveshjeve franchise, ku markete të ndryshme marrin të drejtën e tregtimit të produkteve dhe përdorimit të markës kundrejt një kontrate me ndërmarrjen Conad Albania.

Conad Albania është ndërmarrja e tregtimit me shumicë të produkteve të Conad në Shqipëri. Ajo kontrollohet nga biznesmeni shqiptar Luan Leka, me 88% të aksioneve, ndërsa ndërmarrja italiane Conad Adriatico tashmë mban vetëm 12% të tyre.

Pas një hetimi të thelluar, Autoriteti i Konkurrencës evidenton se Conad Albania i këshillon marketeve partnerëve çmimet e shitjes me pakicë dhe më tej i monitoron këto çmime. Për të shmangur çdo kufizim të konkurrencës nga aplikimi i përcaktimi i çmimeve të rishitjes, Autoriteti i Konkurrencës ka urdhëruar Conad që ta shmangë këtë praktikë.

Më konkretisht, Conad nuk duhet të aplikojë në faturat e shitjeve çmime të këshilluara dhe marzhin teorik; të mos monitoroje çmimet e rishitjes, për të shmangur çdo sjellje antikonkurruese lidhur me mbajtjen e çmimit të rishitjes apo koordinimin për fiksimin e çmimit përfundimtar të shitjes.

Në rast të mos përmbushjes së këtyre detyrimeve, ndërmarrja Conad Albania do të ndëshkohet me gjobë deri në 10 % të xhiros vjetore për shkelje të rëndë të konkurrencës