MENU
klinika

Largon Alban Jahon nga drejtimi

Vjollca Hoxha merr “timonin” edhe në Digitalb

24.01.2019 - 13:28

Kompania Digitalb ka larguar nga detyra drejtorin e saj që nga themelimi, Alban Jaho. Drejtuese e re e kompanisë do të jetë aksionerja kryesore, Vjollca Hoxha, që tashmë ka marrë direkt në duart e saj frenat e biznesit tjetër të madh mediatik. Dy vjet më parë, ajo mori edhe drejtimin e televizionit Top-Channel, të themeluar nga bashkëshorti i saj i ndjerë, Dritan Hoxha.

Përkohësisht, Digitalb do të drejtohet edhe një administrator i dytë, Arben Taipi, që përfaqëson aksionerët e tjerë të shoqërisë.

Aksionerët kryesorë në kompaninë Digitalb janë pasardhësit e themeluesit, Dritan Hoxha, që zotërojnë 51% të aksioneve. Por, ndërkohë, pjesë të rëndësishme kanë edhe pronarët e Union Group, Edmond dhe Niko Leka, me 20% të aksioneve dhe biznesmeni Petraq Shomo, po me 20%. Aksionerët e tjerë, Enkelejd Joti, Alban Jaho dhe Eduard Poda kanë së bashku 9% të aksioneve.

Vendimi për shkarkimin e Alban Jahos është marrë nga familja Hoxha, ndërkohë që aksionerët e tjerë nuk kanë marrë pjesë në mbledhjen e Asamblesë të zhvilluar javën e kaluar.

Aksionerja kryesore ka fajësuar Alban Jahon për rënien e numrit të klientëve të Digitalb, sidomos në platformën satelitore, që ka ndikuar në uljen e të ardhurave për Digitalb gjatë vitit 2018. Gjithashtu, Vjollca Hoxha fajëson ish-drejtorin Jaho për përpjekje të pamjaftueshme në luftën ndaj piraterisë televizive.