MENU
klinika

almanak

Çfarë ka ndodhur më 27 janar?

27.01.2019 - 08:20

98 – Trajani bëhet Perandor romak, pas vdekjes së Nervas. Lindi në vitin 53 në Italika (Spanjë) dhe shërbeu si perandor për gati 20 vjet. Marcus Ulpius Traianus, u shqua për vepra në të mirë të publikut. Ai ishte i suksesshëm edhe në luftë; Trajan fitoi tre konflikte të mëdha kundër Dakëve dhe i zgjeroi territoret e perandorisë në lindje. Historianët e rendisin Trajanin mes 5 perandorëve më vullnetmirë romakë, mes të cilëve; Nerva (96-98); Hadrian (117-138); Antoninus Pius (138-161); dhe Marcus Aurelius (161-180).

1302 – Dante bëhet poet në mërgim. Durante degli Alighieri, i njohur thjesht si Dante (1265-1321); poet i madh italian i mesjetës, autor i Komedisë Hyjnore, – titulli origjinal Comedia dhe më vonë u shtua Divina, nga Boccacio – është konsideruar gjerësisht vepra më e madhe letrare në gjuhën italiane dhe kryevepër e letërsisë botërore. Dante, Petrarka dhe Bokaçio janë të njohur si “tre burimet” ose “tre kurorat” (e letërsisë). Dante është quajtur edhe “Ati i gjuhës italiane”. Por, para se Dante të shkruante poemën e famshme, atij i doli një problem i madh. Për arsye të ndërrimit të pushteteve, dhe se ai ishte përkrahës i partisë politike e cila doli e humbur, Dante dëbohet nga qyteti i tij, Firence, dhe do të endej për vite në mërgim, derisa vdiq në Ravena më 1321. Pas vdekjes, kur vlerat e tij letrare shkëlqyen, ironikisht, qyteti që e përndoqi më shumë, i ngriti atij shtatoren më të lartë.

1593 – Në Vatikan hapet gjyqin kundër dijetarit Giordano Bruno, murg, filozof, matematikan, poet dhe astrolog. Teoritë e tij kozmologjike shkojnë përtej modelit Kopernikan. Bruno propozoi saktë se Dielli ishte vetëm thjesht një tjetër yll që lëviz në hapësirë, dhe pohoi gjithashtu se universi përmbante një numër të pafund botësh të banuara nga qenie inteligjente. Gjyqi kundër Brunos zgjati 7 vjet; përfundimisht ai u gjet fajtor për herezi dhe u dogj në turrën e druve më 1600.

1788 – Kolonët e parë evropiane zbarkojnë në Sydney, Australi. Ata ishin kryesisht të burgosur nga Anglia dhe një koloni penale britanik u krijua për ta në Port Jackson (sot, Sydney) në vitin 1788. Rreth 160-mijë të dënuar jetuan aty deri në vitin1839, kur Britania i dha fund këtij sistemi dënimi. Pas kësaj, kolonët dhe ish-të burgosurit krijuan gjashtë koloni: New South Wales, Tasmania, Western Australia, South Australia , Viktoria dhe Queensland. Gjashtë Kolonitë u bënë shtete dhe në vitin 1901 krijuan federatën e Australisë me një kushtetutë bazuar në traditat britanike parlamentare dhe ato federale të SHBA-së.

1945 – Trupat ruse çlirojnë kampin e përqëndrimit Auschwitz-Birkanau (Poloni), ku nazistët kishin vrarë mbi 1,5 milionë njerëz, duke përfshirë më shumë se 1 milion hebrenj.

Më 1996 – Gjermania vëzhgon për here të parë Ditën e përkujtimit të viktimave të Holokaustit.