Drejtori i ri i Korporatës Elektroenergjitike Shqiptare, Benet Beci, ka pranuar propozimin e kryeministrit Rama për të qenë pjesë e një tjetër institucioni strategjik.
Kjo lëvizje u konsiderua si e papritur duke pasur parasysh faktin se Beci është një prej drejtuesve më jetëgjatë në krye të FSHZH dhe që ka rezistuar dhe gjatë ndryshimeve politike.
“E pranova me kënaqësi këtë propozim si shenjë të besimit, por edhe si mundësi që përvojën time prej shumë vitesh si menaxher dhe drejtues, ta zbatoj edhe në një sektor tjetër strategjik, siç është KESH”, deklaroi Beci
Që prej vitit 2005 Benet Beci është drejtor Ekzekutiv i Fondit Shqiptar të Zhvillimit. Sipas bilancit të këtij institucionit Benet Beci e mori drejtimin e FSHZH në kohën kur portofoli i këtij institucioni ishte rreth 116 milionë Euro dhe gjatë drejtimit të tij ky portofol u rrit në më shumë se 480 milionë euro.
Gjatë karrierës së tij, Benet Becit i janë besuar detyra të rëndësishme sidomos në sistemin bankar ku ka pasur disa pozicione, nga të cilat më i spikaturi ka qenë ai i anëtarit të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë. Beci gjithashtu ka një përvojë të gjerë edhe në menaxhim financiar në institucione të Financimit Rural.
Megjithatë, detyra më e rëndësishme ka qenë ajo e drejtorit të Fondit Shqiptar të Zhvillimit dhe Beci e ka drejtuar me sukses këtë post që prej vitit 2005 deri më sot.