Kryetari i parlamentit të Kosovës, Kadri Veseli, tha se ka propozuar pezullimin 120 ditësh të tarifave ndaj mallrave nga Serbia dhe Bosnja, duke e cilësuar atë vendim të arsyeshëm, që pos tjerash ruan dhe intensifikon marrëdhëniet me partnerët kryesorë të Kosovës, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Evropian.
Ai e publikoi këtë ide pas një takimi me ambasadorin amerikan në Prishtinë, Philip Kosnett, duke theksuar se Shtetet e Bashkuara mbeten partneri më strategjik dhe miku më i madh i Kosovës në të gjitha fazat dhe proceset e lirisë dhe shtetndërtimit.
“Dua ta bëj të qartë se përkushtimet e SHBA-ve për zgjerimin e NATO-s në Ballkanin Perëndimor, për orientimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE dhe për paqen e qëndrueshme ne rajon, përmes Dialogut dhe fqinjësisë së mirë, janë edhe interesa vitale të vetë shtetit tonë.
Kosovës nuk i duhet kursi i konfrontimit me SHBA-të e as me BE-në. Përkundrazi! Gjuha e kushtëzimeve ndaj partnereve tonë kryesorë strategjikë si SHBA dhe BE nuk do ta ndihmojë Kosovën as në mbrojtje të sovranitetit dhe integritetit territorial, e as në rrugën e saj drejt integrimeve euroatlantike”.
Duke e vlerësuar vendimin për tarifat prej 100% për prodhimet nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina si një kundërpërgjigje ndaj agresivitetit politik dhe diplomatik të këtyre dy shteteve kundër Kosovës, ai shkroi se “taksa asnjëherë nuk ka pasur dhe as nuk do të ketë orientim kundër aleatëve tanë kryesorë, SHBA-ve dhe BE-së, e as kundër interesave të tyre strategjike në Kosovë dhe në Ballkanin Perëndimor. E ritheksoj se interesat amerikane në Kosovë janë edhe interesa të Kosovës dhe po ashtu interesat e Kosovës janë edhe interesa të SHBA-ve. Ky është një fakt i pamohueshëm dhe kështu do të mbetet gjithmonë”.
Ai shkroi se shqetësimet amerikane janë serioze dhe duhet të merren seriozisht dhe përgjigjja duhet të jetë konstruktive.
“Taksa doganore nuk duhet të hiqet, por ajo duhet të pezullohet për 120 ditë dhe gjatë kësaj periudhe duhet të vihen në fuqi disa kushte konkrete për pezullimin e saj. Dhe nëse pas 120 ditësh nuk kemi një situatë të re, ku sjelljet e Serbisë dhe të Bosnje e Hercegovinës ndryshojnë rrënjësisht, atëherë e njëjta taksë vazhdon, por edhe vendimet e tjera që me automatizëm dërgojnë në reciprocitet të plotë me këto dy vende.
Besoj se ky është vendim i arsyeshëm, që e ruan dinjitetin e vendit, afirmon legjitimitetin e vendimit për taksën 100%, por edhe balancon interesin shumë strategjik të Kosovës, duke ruajtur dhe intensifikuar raportet me partnerët tanë kryesorë, SHBA-të dhe BE-në”.
Pezullimi i tarifave sipas tij, duhet të ndodhë si masë mirëbesimi ndaj Shteteve të Bahskuara dhe Bashkimit Evropian edhe për disa arsye: Kosova tregon përkushtimin e vet të palëkundur ndaj SHBA-ve dhe BE-së, si dhe ndaj prioriteteve të vëna për Ballkanin Perëndimor, të cilave ju besojmë edhe ne si shtet; Kosova dëshmon se është pjesë e politikave të paqes dhe partneritetit dhe i promovon ato si politika të veta; Përderisa qëndrimi i Kuvendit të Republikës së Kosovës është për t’i dhënë shans Dialogut për arritjen e Marrëveshjes Ndërkombëtarisht Obligative ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, për çka është krijuar tashmë edhe Delegacioni Shtetëror, ne duhet t’i japim mundësi këtij procesi dhe zgjidhjes së të gjitha çështjeve të hapura. Ne besojmë se Dialogu është mjeti më efikas dhe i domosdoshëm për t’i tejkaluar të gjitha mosmarrëveshjet në Ballkanin Perëndimor dhe si shtet duhet të jemi promovues permanentë të këtyre vlerave. Dialogu, si proces, mund dhe duhet të ndodhë me një format dhe orar që përcaktohet në pajtim me partnerët tanë perëndimorë. Por, qasja konstruktive e Republikës së Kosovës në këtë proces nuk duhet të merret si e mirëqenë dhe të shërbejë si mundësi përfitimi për Serbinë në rrugën e saj drejt BE-së, derisa qytetarët e Kosovës ende janë të izoluar, pa të drejtën e lëvizjes së lirë në Zonën Schengen: Kosova duhet të jetë e përkushtuar për përfundim të suksesshëm të Dialogut. Por, nëse ky proces nuk rezulton me Marrëveshje të pranueshme për Republikën e Kosovës, shteti ynë do të rivendosë taksën prej 100% dhe do të ndërmarrë masa të tjera shtesë për vendosjen e reciprocitetit të plotë, për të mbrojtur interesat tona politike dhe ekonomike”.
Zoti Veseli thekson se “nuk duhet të ketë asnjë pikë dyshimi se harmonizimi i Kosovës me SHBA-të i sjell vetëm të mira popullit të Kosovës. Përkundrazi, vetëm harmonizimi i Kosovës me SHBA-të është garanci për suksesin e Kosovës në çdo aspekt. Andaj, kokëfortësia ndaj kërkesave të mikut tonë më të madh nuk është politike shtetformuese. Vendimet tona politike duhet të kenë në thelb të vetin interesin e shtetit dhe të qytetarëve tanë, e jo qasjen iracionale të përfitimeve politike individuale, grupore e partiake. Në këtë proces, ne duhet t’i bashkërendojmë veprimet tona me partnerët tanë strategjikë, para së gjithash me SHBA-të. Dhe në këtë drejtim, askush nuk duhet ta lëkundë besimin tonë te SHBA-të, e as besimin amerikan te ne. Çfarëdo qëndrimi që e vendos Kosovën në kursin e konfrontimit me SHBA-të nuk do ta ketë mbështetjen time asnjëherë”.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë bërë thirrje për pezullimin e menjëhershëm të tarifave si një masë e nevojshme për të rimëkëmbur procesin e bisedimeve Kosovë – Serbi, të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian.
Tarifa ndaj mallrave serbe, e vendosur me 21 nëntor të vitit që lamë pas, nxiti edhe reagimin e Bashkimit Evropian i cili krahas kërkesës për heqjen e saj, i dërgoi edhe një propozim Prishtinës nëpërmjet komisionarit për zgjerim Johanes Hahn, për një marrëveshje që përfshin të gjitha aspektet ekonomike mes Kosovës dhe Serbisë. Por, kryeministri Haradinaj tha se një marrëveshje e tillë do të ketë kuptim vetëm bashkë me marrëveshjen për njohjen e Kosovës.
Beogradi ndërkaq kushtëzon vazhdimin e bisedimeve me heqjen e tarifave duke bërë që procesi i bisedimeve të vazhdojë të mbetet i pezulluar me gjithë thirrjet evropiane dhe amerikane për një marrëveshje sa më të shpejtë që u hap rrugën të dyja vendeve në procesin e integrimeve evropiane./tch