MENU
klinika

Detajet

Basha: Ligji i Arsimit të Lartë zaptoi universitetet

29.01.2019 - 12:56

Gjatë vizitës në Shkodër, kryedemokrati Lulzim Basha zhvilloi një takim me studentët dhe të rinjtë e këtij qyteti, ndërsa tha se Partia Demokratike do të anulojë Ligjin e Arsimit të Lartë sapo të vijë në pushtet.

Sipas Bashës, ky ligj është burimi i të keqes dhe studentët shqiptarë po vuajnë pasojat e pushtetit të kryeministrit Edi Rama.

Bashkëbisedimi i Bashës me studentët dhe gjimnazistët:

Basha: Grupi Parlamentar i PD mori dje një vendim; akti i parë që qeveria e Partisë Demokratike do të ndërmarrë, është anulimi i Ligjit për Arsimin e Lartë,

Ledja Ashta, gjimnaziste: Së shpejti duhet të jem në një Universitet. Dëshiroj të studioj për punë sociale. Cili është qëndrimi që do të mbajë Partia Demokratike në lidhje me Arsimin e Lartë?

Basha: Dje kemi marrë një vendim me Grupin Parlamentar të Partisë Demokratike. Kur Ligji kaloi ne e kundërshtuam në Parlament. Ne e konsiderojmë këtë ligj, rrënjën e së keqes, që ka zaptuar universitetet, rrënjën e të keqes nga e cila po vuajnë studentët shqiptarë. Me këtë ligj korruptiv nuk bëhet gjë tjetër veçse thellohet politika e vetme e Edi Ramës, merri shumicës, jepi pakicës.

Në këtë rast vjedhja bëhet edhe më e dhimbshme, sepse tarifa për bachelor dhe master në Shqipëri, është më i larti në Europë. Cilësia është me dobëta në Europë, nga më e dobëta në botë. Jeta universitare kontrollohet nga një gruisht njerëzish për interesa politike dhe korruptive financiare. Anulimi i Ligjit për Arsimin e Lartë do të jetë akti i parë që qeveria e Partisë Demokratike do të ndërmarrë.Por kjo nuk mjafton.Ne duhet të nisim tani punën për hartimin e një ligji të arsimit të lartë, të standardeve dhe parimeve europiane.

Basha: Në këtë grup pune do të jenë deputetë që mbulojnë fushën e arsimit, përfshirë edhe pedagogë, ekspertë të fushës nga Partia Demokratike, kemi skuadrën më të mirë të ekspertëve për arsimin. Do të nisim menjëherë konsultimin me dy grupe kryesore të interesit, me studentët dhe me pedagogët.

Gjatë turit të takimeve me qytetarë të Shkodrës, kryedemokrati, Lulzim Basha i ftoi ata të marrin pjesë në protestën e 16 shkurtit në Tiranë.