Shteti Italian ka bërë të ditur rregullat e reja për të bërë bashkim familjar në rastin kur bashkëshorti juaj jeton në vendin fqinj.
Për të mundësuar bashkimin familjar gjatë 2019, bashkëshorti juaj duhet të ketë të ardhura minimale 8.9 mijë euro në vit.
Ne rastin kur shqiptarët që jetojnë atje dëshirojnë të tërheqin të gjithë familjen, atëherë të ardhurat e tyre duhet të jenë disi më të ‘shëndosha’.
Emigrantët që do të rinovojnë këtë vit lejeqëndrimin, apo të kërkojnë lejeqëndrimin BE për qëndruesit afatgjatë, duhet të tregojnë se kanë të ardhura vjetore jo mbi: 5.954,00 euro. Kush dëshiron të sjellë në Itali bashkëshortin me bashkim familjar duhet të tregojë se ka të ardhura sa të paktën 1,5 herë çeku social.
Në krahasim me vitin e shkuar, është bërë një rishikim nga Instituti Nacional për Sigurimin Social, duke e rritur me më shumë se 100 euro tarifën e shumës që emigranti me lejeqendrimi duhet të zotërojë, që të tërheqë familjen.
Në rregullat e reja që po bëhen publike në Itali, bazuar në Tekstin Unik për Emigracionin, parashikohet se kush kërkon bashkim familjar të ketë “të ardhura minimale vjetore nga burime të ligjshme jo më të ulëta se çeku social, plus gjysmën e shumës së çekut për çdo familjar që do të sillet në Itali. Çeku social është vendosur në janar të vitit 2019 në shifrën e 5.954 euro, ose 6 euro më shumë në muaj se në vitin 2018.
Sipas rregullores, bëjnë përjashtim fëmijët, për bashkimet e të cilëve nën moshë madhore, kërkohen të ardhura vjetore jo më të ulëta se dyfishi i çekut social.
Ligji gjithashtu specifikon se “për përcaktimin e shumës së të ardhurave merren në konsideratë edhe të ardhurat e përgjithshme të familjarëve që bashkëjetojnë me kërkuesin”.
Në Itali, komuniteti shqiptar përbën shumicën ndër të huajt e pajisur me leje të rregullt qëndrimi. Sipas të dhënave të Institutit Italian të Statistikave, të huajt me leje të rregullt qëndrimi në këtë shtet janë rreth 3 milionë e 700 mijë dhe dy komunitetet më të përhapur janë ai shqiptar dhe maroken, të cilët përfaqësojnë rreth një të katërtën e totalit.