MENU
klinika

Bien më shumë interesat

Tregu financiar “noton” në para

30.01.2019 - 13:14

Tregu financiar në vend ka shumë para të lirë dhe investitorët po dynden të investojnë në instrumentet e borxhit qeveritar. Në ankandin e obligacioneve pesëvjeçare u paraqitën kërkesa për afro 11 miliardë lekë, kundrejt një shume të shpallur të shpallur për financim prej katër miliardë lekësh. Një raport i tillë mes kërkesës dhe ofertës bëri që kuponi i obligacioneve pesëvjeçare të bjerë në 4.2%. Ky është niveli më i ulët i regjistruar në historinë e emetimit primar të obligacioneve pesëvjeçare.

Kjo tendencë po reflektohet edhe në normat e tregut dytësor. Sipas informacionit nga Banka e Shqipërisë, yield-i fiks i tregtimit të obligacioneve pesëvjeçare në tregun sekondar ra në 3.54% të mërkurën. Ky është niveli më i ulët i regjistruar që nga nisja e kuotimeve, në korrik të vitit të kaluar.

Prej korrikut 2018, obligacionet 5-vjeçare janë përcaktuar si tituj referencë, në një projekt të përbashkët me pesë banka zhvilluese të tregut. Titujt referencë gëzojnë likuiditet më të lartë se emetimet e zakonshme, për shkak të detyrimit që kanë zhvilluesit e tregut për të kuotuar çmimet në tregun sekondar, sipas kushteve të përcaktuara në kontratën e lidhur me Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë.

Interesat e borxhit qeveritar kanë zbritur në nivele të papritura në fundin e vitit të kaluar dhe gjatë fillimit të këtij viti, prakitkisht për të gjitha emetimet.

Arsyeja kryesore duket të jetë sasia shumë e lartë e likuiditetit të lirë në treg. Banka e Shqipërisë ka injektuar sasi të lartë paraje vitin e kaluar, jo vetëm përmes insturmenteve të politkës monetare, por edhe nëpërmjet ndërhyrjeve në kursin e këmbimit, duke blerë euro dhe duke shitur lekë.

Por, një ndikim ka dhënë edhe qeveria shqiptare. Emetimi i eurobondit në tetor të vitit të kaluar u përdor pjesërisht për të zëvendësuar ose rifinancuar borxhin e brendshëm. Kjo la sasi të mëdha paraje në duart e investitorëve dhe sidomos të bankave. Në kushtet e një kreditimi ende të dobët të ekonomisë, gjendja likuide e tregut financiar ka sjellë kërkesë të lartë për të investuar në bono dhe ka ulur normat e interesit.

 

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Niveli më i ulët në dy vjet

Bien interesat e borxhit qeveritar