MENU
klinika

Dramaturgjia në familje

Shfaqja ‘’Natën ma’’ vjen në Metorpol me dramën e saj

30.01.2019 - 14:41

Sezoni e ri artistik në Teatrit Metropol do të vijë me dramën ‘’Natën ma’’ me autor të Marsha Norman. Regjizore e kësaj  vepre që në qendër ka një familje me dramat e saj është Ema Andrea. Drama “Natën ma”, është fituese e çmimit Pulitzer dhe e çmimit të Teatrit Botëror nga autorja Marsha Norman.

Aktorët që do ta vënë në skenë janë Ilire Vinca dhe Egla Ceno. Gjithashtu kjo vepër do të bëjë bashkë muzikantë të njohur si  Bojken Lako dhe muzikantë të tjerë që janë Endi Aron Çekani dhe Rei Kondakçi.

’’Natën ma’’ vjen pas sukesit të shfaqur me shfaqjet “Sherlok Holms’’ dhe ‘’Langoi i Bakservillëve”.

Çfarë do të shfaqet në këtë dramë?

Ngjarja ka në qendër një marrëdhënie nënë-bijë. Në kulmin e kësaj marëdhënie në shfaqje del në pah depresioni që e rëndon mbi vajzën.

Depresioni është një sëmundje e vështirë që nuk do komunikim, do monolog, shumë monolog dhe përjashtim të vetvetes, ndërgjegjja bëhet një xhelate e vetvetes dhe ti ndjen shumë faj, ankth dhe inate, mllefe të vetes. Depresioni shpall heshtje të ftohtë dhe përbrenda zjarr të pashuar.

Do ta vrasësh atë unë të fëlliqur, të akullt, të rënduar që ndien brenda vetes, unin tënd të rëndomtë, ndryshe nga unet e tjera që ekzistojnë si shoqëri dhe si opinion publik.

Ti ndihesh në presionin e këtyre ‘uneve’ imagjinare dhe do t’i japësh vetes një dënim të merituar që fatkeqësisht ia imponon me forcë vetes.

Detyrmisht një person me një vetvete të mbyllur shfaq një dramë dhe një mbyllje në të gjitha marrëdhëniet, ekziston shumë heshtje dhe akti final është shumë i pranishëm te këta persona, pra akti i vdekjes.

Pikërisht kjo është ‘thembra e Akilit’ të shfaqjes, akti i vdekjes, këtu rrethorrotullohet shfaqja midis nënës dhe të bijës. Midis jetës dhe vdekjes. Një nënë e tillë si do të ndihej kur të merrte vesh se vajza e saj do të vriste veten?  Nëse fëmija i thotë gjakftohtë, e vendosur që është mbrëmja e fundit një nënë do t’i kthehej bota përmbys? 

Nëna është vendi i pastër ku ne lëmë mëkatet tona, i lëmë aty pa teklifë dhe me mirësi e besim. Sa kemi frikë kemi dhe adhurim për to. Po sikur vajza e këtyre lloj problemeve psikologjike do të thotë natën e mirë e do të largohet në dhomën e vet për të vrarë veten?

Telma, nëna 50 vjeçare dhe Xhesi 30 vjeçare do të jenë kulmi i kësaj drame në Teatrin Metropol. Pjesa do të nisë me rrëfimin e Xhesit. Xhesi, e divorcuar po më shumë në gjendjen e vështirë të depresionit, do t’i thotë mamasë se nuk do të jetojë më, ajo ndihet e humbur, e rënduar, dhe kjo duhet të përballohet nga Telma, nëna.

Skenografia e veprës është realizuar nga Enio Shehi dhe identiteti vizual nga Vincenzo Giannattasio. Kjo për tre artistët, regjisoren Ema Andrea dhe dy aktoret Egla Ceno dhe Ilire Vinca do të jetë një ogur i mirë e një dite teatrore të përmbushur në shfaqje të rëndësishme.  Shfaqja për më shumë ka enigmat e saj të tjera dhe shumë emocione që do të përfshijnë sallën.

Mbi jetën e autores

Marsha Norman lindi më 21 shtator 1947. Dramaturge amerikane, skenariste dhe romanciere, si dhe fituese e çmimit Pulitzer më 1983. Ajo shkroi librin “The Secret Garden”, për të cilën ajo fitoi çmimin Tony dhe çmimin “Drama Desk” për librin e muzikës dhe Shoes Red, si dhe libret për muzikën Color Purple.

Krijimtaria e saj fillon që e vogël. Në fillim nisi të luajë në piano. Më vonë ajo filloi të performojë role si aktore të Louisville.

Diplomohet në ‘Agnes Scott College’ dhe në Universiteti i Louisville. Në karrierën e saj ajo ka qenë gazetare në gazetën ‘’Louisville Times’’ dhe televizionin ‘’Arsimor Kentucky’’.

Norman punon në fakultetin e Shkollës Juilliard në Nju Jork, dhe është nënkryetare i Dramaturgëve të Amerikës. Ajo u nderua në Festivalin William Inge 2011 për ‘Arritjen e Shquar’ në Teatrin Amerikan.