Një prej plagëve më të mëdha në shoqërinë shqiptare është edhe problemi me pronat pa letra, ose e quajtur ndryshe informaliteti i lartë pronave.
Në lidhje me këtë temë, Instituti i Statistikave në bashkëpuniiim me ISHP kanë zbuluar disa të dhëna të reja për këtë çështje që është ndër më problematiket për 3 dekadat e fundit.
Përsa i përket informalitetit të pronave, në studim është bërë një krahasim mes zonave rurale dhe atyre urbane.
Në shifrat e bëra publike në studim vihet re se te meshkujt 15-49 vjeç, në zonat rurale 1 në 4 prej tyre, pra 25% kanë shtëpi, por pa asnjë dokument që vërteton pronësinë e tij.
Ndërsa në zonat urbane informaliteti është rreth 9.4 pikë përqindjeje më e ulët, pra rreth 15.6%.
Informaliteti i pronave është më i lartë në dy qarqe, në atë të Dibrës dhe të Kukësit.
Sipas studimit të realizuar në Dibër janë rreth 49.5%, pra 1 në 2 kanë shtëpi pa asnjë dokument.
Në Tiranë janë rreth 13.4 % që kanë një shtëpi dhe nuk kanë dokumente.
E kundërta ndodh në qarqet jugore, ku informaliteti i pronave është më i ulët.
Sipas studimit në Gjirokastër vetëm 6.1 % e mëshkujve, pra 1 në 20 meshkuj jetojnë në shtëpi pa dokumente.
Ndërsa në Vlorë janë 4.7% e meshkujve që jetojnë në një shtëpi pa dokumente.
Pronat pa dokumente, e sidomos banesat apo edhe ambientet e biznesit janë në pjesën dërrmuese rrjedhojë e ndërtimeve pa leje, kryesisht në zonat informale.