Në gusht të vitit 2010 Arben Bilalit i kanë vrarë të vëllain, Leonard Bilalin, në të njejtin vend ku u ekzekutua ditën e sotme.
Vrasja ka ndodhur pranë zonës së Selitës, në ish-stacionin e fundit të Tiranës së re. Viktima është qëlluar disa herë me armë zjarri.
Në momentin e atentatit ai gjendej brenda makinës tip Hyundai. Nga të shtënat janë thyer xhamat e pasme të automjetit.
Sipas dëshmitarëve autorët u larguan me shpejtësi me një makinë tip Mercedes Benz. Pas atentatit Bilali mbeti i plagosur dhe ndërroi jetë në spital.
Vëllai i viktimës së ditës së sotme sapo ishte kthyer nga Italia, ku qëndronte si emigrant, kur u qëllua me 4 plumba pistolete, teksa ishte ulur në një nga lokalet në rrugën “Irfan Tomini” në kryeqytet. Leonard Bilali u transportua asokohe me shpejtësi në spital, por ndërroi jetë si pasojë e plagëve që kishte në trup dhe në kokë.
Policia i përqëndroi atëherë hetimet në pistën e hakmarrjes, ose një sherri të çastit në lokalin ku ai ndodhej. Vëllai i ish-efektivit të policisë kishte pasur konflikt fizik me një person, vetëm një ditë pasi ishte kthyer nga Italia, në muajin korrik të 2010-s.
Por, policia asokohe hetoi edhe problemet e konfliktet e Arben Bilalit, i cili ka qenë ish-oficer i Forcave të Rendit. Policia kishte dyshime se, pas dështimit të atentatit ndaj tij, në lidhje me këtë ngjarje të vjetër mund të jetë ekzekutuar vëllai 27-vjeçar i ish-oficerit.
Leonard Bilali, afërsisht një muaj para ekzekutimit kishte qëndruar në vilën e familjes së tij në zonën e Selitës, ndërkohë që sipas fqinjëve shihej darkave nëpër lokalet që ndodhen në zonën e quajtur “stacioni i parafundit i Tiranës së Re”.