MENU
klinika

Deklarata

Ish-prokurori akuza ndaj KLP: As gjermani, as Enveri si ata!

30.01.2019 - 15:57

Komisioni i Lartë i Prokurorisë  kohët e fundit po ‘vlon’ nga debatet, ku një anëtar i tij rezulton të jetë ish bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit, ndërsa një tjetër ish prokuror shpërthen ndaj këtij institucioni.

Tom Dedaj, ish-prokurori i cili u shkarkua me votim unanim në KLP, dy ditë më parë, akuzon Këshillin e Lartë të Prokurorisë duke thënë se fjala e fundit nuk të mohoej as në diktaturë.

“Si specialist i kësaj fushe mendoj se nuk është e drejtë dhe e bazuar në ligj ta gjykosh tjetrin e ta ndëshkosh pa e thirrur. Më keq akoma pa e dëgjuar fare atë. Po të drejten e fjalës së fundit s’ta kanë mohu as pushtuesit turq, po as gjermani,po as Enveri.

Madje ky i fundit në një rast nga viti 1944 mori vesh se një skuadër partizane kishte pushkatuar një njeri pa gjyq…u indinjua thellë dhe urdhëroi që të caktohej një trup gjykues dhe të gjykohej njeriu pas pushkatimit dhe gjykata të merrte një vendim. S’mund te pushkatohet njeriu kishte thene pa një gjyq pa një akuze a pa ju dhënë e drejta e fjalës qoftë edhe formalisht.” tha Dedaj

Ndër të tjera ai tregon habi edhe ndaj motivacionit të shkarkimit të tij nga detyra ku thotë se Gjykata e Apelit për Krime të Rënda, e ka dënuar atë për “moskallëzimit të krimit” dhe jo për “Korrupsionit pasiv të gjyqtarëve, prokurorit ose funksionarëve të tjerë të drejtësisë”, sikundër pretendon KLP.

Në dokument thuhet se për Gjykatën e Apelit për Krime të Rënda rezulton e provuar dhe e pranuar nga të pandehurit, dëshmitarët dhe përgjimet se më dt.18.10.2016 kur i pandehuri Zeqja ka tentuar t’i japë një përfitim të parregullt prej 20 000 lekësh të pandehurit Dedaj, nuk ka bërë kallëzim penal ndaj tij, duke konsumuar kështu veprën penale të ‘Moskallëzimit të Krimit”, vendim që ish-prokurori Dedaj thotë se e ka ankimuar.

 Dedaj gjithashtu pyet se a mund të shkarkohet një prokuror për moskallzim krimi.

“Po çfarë krimi nuk ka kallëzuar Prokurori…i paska shkuar një shtetas në zyrë për ta takuar prokurori i paska thënë çeshtja jote është përfunduar sipas ligjit, urdhri për kthimin e mjetit është dërguar për ekzekutim në Komisariatin e Policisë. Ky shtetasi paska dashur ta falenderojë dhe paska nxjerrë portofolin, jo lekët e përsëris portofolin..dhe prokurori i paska thënë fute në xhep portofolin mos nxirr lekë se të fus në burg. Ku është moskallëzimi i krimit këtu, i cilit krim na qenka krim me nxjerre portofolin.Më keq akoma prokurori te nesermen paska bere dhe kallzim penal, por Gjykata thotë e ke bërë me vonesë dhe të shkurtër.” shprehet ish Prokurori.