Qeveria ka vendosur të ndryshojë vendimin për banorët e Unazës së Re që preken nga projekti i ndërtimit të rrugës.
Vendimi i parë parashikonte qira për një periudhë 2 vjeçare për banorët që u shemben ndërtesat,ndërsa në vendimin e marrë sot, ndryshohen fjalët “… përfitojnë pagesën e qirasë për një periudhë dyvjeçare, nga data e hyrjes në fuqi të këtij vendimi”, dhe zëvendësohet me “…përfitojnë nga programi social i strehimit pagesën e plotë të qirasë, nga momenti i mbarimit të afatit të përcaktuar deri në sistemimin me strehim në një nga programet që parashikon ligji për strehimin”.
Sipas këtij vendimi, Financimi i qirasë për familjet përfituese mbulohet 50% nga buxheti i shtetit, që akordohet për strehimin dhe 50% nga buxheti i Bashkisë Tiranë.
“Financimi i qirasë të bëhet pas verifikimit nga Bashkia Tiranë të gjendjes ekonomike dhe sociale të familjes, sipas parashikimeve të ligjit për strehimin”, thuhet në VKM.
Ndërkohë që banorët e Unazës së Re protestojnë prej muajsh kundër vendimit që shemb ndërtesat e tyre.