MENU
klinika

Deklarata

Koncesioni i parkimeve/ Bashkia sqaron të vërtetën

30.01.2019 - 17:53

Bashkia e Tiranës sqaroi sot të vërtetën për dhënien me koncesion të parkimeve në Tiranë, duke hedhur poshtë spekullimet.
Në deklaratën për mediat thuhet se Partia Demokratike përhapi sot qëllimisht një lajm abuziv dhe të pavërtetë lidhur me mënyrën e administrimit të parkimit në qytet nga Tirana Parking.

Bashkia e Tiranës thekson se Vendimi i Këshillit Bashkiak, i cili pritet të diskutohet në mbledhjen e nesërme të Këshillit Bashkiak të Tiranës, nuk ka për qëllim të privatizojë apo të japë me koncesion shërbimin e parkimit në kryeqytet, siç dezinformoi qëllimisht sot Partia Demokratike.

“Siç shprehet qartë edhe në relacionin shoqërues të VKB-së, aktualisht qytetarët e Tiranës e paguajnë parkimin përmes dy opsioneve: asaj me sms nga telefoni i tyre dhe direkt te inspektori përkatës i Tirana Parking. Por, jo të gjithë qytetarët kanë mundësinë për të patur kredit të mjaftueshëm në telefonat e tyre për kryerjen e pagesës, e për pasojë ata kanë kërkuar me të drejtë metoda të tjera alternative për kryerjen e pagesës së shërbimit të parkimit”, thuhet në deklaratë.

Për këtë arsye, Bashkia e Tiranës thotë se ka propozuar vendosjen e pajisjeve vetëshërbyese (automatë) dhe aplikacione të ndryshme, në vendet e destinuara për parkim, të cilat mund të punojnë gjatë periudhës kur shërbimi i parkimit është aktiv, si një metodë e thjeshtë dhe efektive për verifikimin e tarifës së parkimit, njësoj si në çdo vend tjetër perëndimor.

Në deklaratë, theksohet se pagesa që do të kryhet përmes këtij shërbimi do të kalojë 100% për llogari të Bashkisë së Tiranës.