MENU
klinika

Deklarata në parlament

Kryemadhi ‘sfidon’ ministren: Je gati të sakrifikosh fëmijët?

31.01.2019 - 12:35

Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim Monika Kryemadhi tha sot nga foltorja se ministrat e rinj janë vazhdim i “supermenit Gjushi, Bajraj, Avdulaj” etj.

Ajo tha se parlamenti është arenë dhe të gjithë janë gladiatorë e gladiatorë dhe kujt i mbajnë gjunjët le të përballet.

Kryetarja e LSI-së mori në mbrojtje socialistët dhe tha se ministret e reja mund të kishin dalë në terren ashtu si gratë e PS.

Po ashtu Kryemadhi bëri dhe një denoncim, pasi sipas saj e gjithë lufta per universitetin bëhet se do të vijë universiteti i Soros në Hungari dhe do ta marrë Rama në Shqipëri.

Fjala e plotë e Kryemadhit

I nderuar Kryetar
Të rinj dhe të reja,
Studentë dhe pedagogë,

Fermerë dhe të papunë, mjekë, infermierë kudo që jeni!
Në fakt ajo që të bën përshtypje është që për hir të së vërtetës, kemi një vit e gjysëm që ne e deklarojmë, edhe më shumë, që Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me institucionin e tyre zyrtar mediatik Zërin e Amerikës, dalin qartë se si votat e një mazhorance të inkriminuar kanë ardhur në Parlament me paratë e drogës dhe me para të krimit të organizuar.

Këta që janë këtu mbrapa, me ndonjë përjashtim të vogël, socialistë të vjetër, ndërsa pjesa tjetër nuk është gjë tjetër, veçse janë vazhdimësia e supermanit Gjushi, e akullore, sepse këta i kanë qejf akulloret si Rilindje, e supermanit Barja, Avdylaj, e çdo gjë tjetër. Kjo viktima këtu, që vjen nga një biznes i mesëm, e cila për hir të së vërtetës familja e saj nuk e dimë nëse i ka rënë në qafë drejtoresha e Tatimeve apo jo, për t’ua mbyllur biznesin, siç ua ka mbyllur të gjithë bizneseve të tjera, por vjen këtu dhe vjen këtu që të mbulojë mashtrimet e shefit të saj, që kishte bërë pakt zhvillim, ndërsa tani del me çorape.

Kjo zonja këtu duhet të kuptojë shumë mirë që Banka e Shtetit të Singaporit që ka falimentuar, ti nuk mund të shpëtosh dot transaksionet e shefit tënd, të cilat për hir të shoqërisë tënde me familjarët e tij, ke marrë përsipër një punë shumë të vështirë. A je e gatshme ti të sakrifikosh fëmijët e tu për Edi Ramën, se ai nuk e sakrifikon veten e tij për fëmijët e tij. Ti je e gatshme të sakrifikosh fëmijët e tu për Edi Ramën? Nëse po, dashuria jote për të i kalon të gjitha hapësirat njerëzore.
Për të qenë më të kthjellët me të gjithë, ne në fakt duhet të sjellim një model tjetër, për këtë kemi luftuar Taulant nuk kemi asnjë kompleks. Në momentin që kemi ardhur në këtë arenë, jemi gladiatorë dhe gladiatore. Kujt ia mbajnë gjunjët le të përballet, kush nuk ka fuqi të dali dhe të iki përpara. Kur të dalin dhe këto dhe të marrin votat, si gratë socialiste, si koleget e tua, atëherë ke të drejtë të flasësh për to.

Ka një problem. Problemi juaj më i madh dhe i joni, qëndron që ne duhet të sjellim një sjellje tjetër, jo sjelljen e kriminelëve, as sjelljen e drogaxhinjve, sepse do të përballemi çdo ditë dhe më shumë me probleme. Dhe problemet nuk janë probleme politike, problemet janë për të ardhmen. Njerëz të cilët planifikojnë që të vijnë këtu dhe të shkatërrojnë partitë politike, kushdo qofshin ato, të mëdha apo të vogla. Edhe në qoftë se s’janë këtu në Parlament, të cilat janë asete për jetën politike shqiptare. Dhe unë mund të them: pse nuk paska socialistë që paskan mbaruar shkollat jashtë shtetit për të qenë ministra? Sa të duash ka. Edhe nga ju këtu të grupit parlamentar.
Por ai nuk ju do ju. Sepse ai nuk do shtëpinë e vet e jo më t’iu dojë ju. Ai e do Partinë Socialiste për ta përdorur dhe për të pastruar paratë e veta. Për të ri mbledhur paratë e tij të cilat i kanë humbur. Ai nuk mund t’iu dojë ju sepse ju nuk jeni standardi i tij. Ju nuk keni asgjë të përbashkët me atë. Ju jeni demode, ndërsa ai është modern. Ju nuk jeni si ai, ai është njeri që lexon libra.

Ndërsa ju nuk lexoni libra, edhe pse mund të keni shkolla të mbaruara jashtë shtetit. Ju nuk jeni si ai, sepse ai është njeri artist, me shpirt të hapur, ndërsa ju jeni fshatarë. Ky është koncepti i tij që ka për Partinë Socialiste. këtë ka pasur ai. Edhe kur erdhi nga Parisi me thonj të pa prerë siç thoshte dikur Fatos Nano, edhe kur u bë Kryetar i Bashkisë së Tiranës e kështu me radhë.
Tani që të jemi për aktin normativ. 300 milionë i çojnë dy konvikteve të Tiranës, pra 3 milion dollarë. 1,5 milion dollarë konvikteve në Durrës. Unë nuk kuptoj këtë gjë: 6,5 milion dollarë ç’punë ka që i merr Microsoft-i? 4,3 milionë, çfarë shpenzimesh janë këto? Energjia elektrike që s’kanë p[aguar institucionet? Po turp të keni, fusni në burg ata që nuk i kanë paguar. Se keni futur fukarenjtë për 5 mijë lek që s’kanë paguar dritat. Pra qenkan 4,3 milionë dollarë që s’kanë paguar institucionet e shtetit shqiptar energjinë elektrike. Dhe ne fusim në burg fukarenjtë që nuk kanë bukë të hanë.

Dhe një gjë tjetër zonja ministre. Bashkisë së Skraparit i keni bllokuar buxhetin. Bllokojini rrogën Kryetarit të Bashkisë, por mos bllokoni bukën e fëmijëve nëpër çerdhe e nëpër kopshte. Thojini atij Prefektit, Gjeneralit të Ushtrisë së Vdekur që keni atje në Berat, që nëse do të punësojë anëtarë të Partisë Socialiste në këmbim të votës, le ta bëjë dhe nuk e ndalon njeri. Dhe kthejini shkollat me nga 6 nxënës, bëjini me nga 30 mësues dhe mbajini me 6 nxënës. Shkurtojeni administratën e Bashkisë së Skraparit, nuk ka asnjë lloj problemi. Se skraparllinjtë as nuk i keni mbajtur ju me bukë, as nuk i kemi mbajtur ne me bukë, se ata kanë ngrënë bukë vetë dhe kanë bërë gjëra shumë më të mira. Por bukën e fëmijëve të fukarenjve në kopshte dhe në çerdhe, për të cilën ju merrni paratë, mos guxoni ta bëni sepse do të përgjigjeni shumë keq. Sepse njerëzit do të përballen me ju jo më politikisht, por personalisht. Nuk ka më përballje politike me mostra që përdorin pushtetin politik për interesa personale.

Prandaj merrni me kujdes dhe mos dëgjoni çfarë thonë poshtë e përpjetë. Zhbllokoni buxhetin e çerdheve të Skraparit se siç është Skrapari janë dhe gjithë bashkitë e Shqipërisë. Dhe merrni përgjegjësitë tuaja si ministre. Nga ana tjetër z.Kryetar i Kuvendit, kësaj zonjës këtu që nuk e di shtëpinë ku e ka dhe ajo vetë, mësoji që ka disa rregulla në Shqipëri dhe në shqiptarët i respektojmë njerëzit, institucionet, edhe kur jemi armiq. Kur vjen përballë një institucioni duhet të vish dhe të sillesh në mënyrë dinjitoze. Alabakë rrugës të cilët e kthejnë institucionin e Parlamentit, në institucione orgjish për të sjellë një sjellje tjetër ki kujdes se nuk do të falë njëri. Nuk do të falin gratë dhe vajzat e Parlamentit, jo më gratë dhe vajzat që janë jashtë Parlamentit. Dhe nga kjo foltore dua të bëj dhe një denoncim që ta kemi parasysh të gjithë. E gjithë lufta dhe Pakti i Universitetit, të nderuar kolegë, të nderuar qytetarë, të nderuar studentë dhe pedagogë të Universitetit të Tiranës, ka një prapaskenë. Shkatërrimin e Universitetit të Tiranës dhe sjelljen e Universitetit të Sorosit në Budapest, i cili me vendim të Kryeministrit të Hungarisë dhe të Presidentit të Hungarisë do të mbyllet. Dhe qeveria jonë e famshme do që ta sjellë në Shqipëri.

Pavarësisht bindjeve tona politike dhe ça përfaqësojmë ne të gjithë këtu, të marrim përsipër të mbrojmë universitetin tonë. Universiteti i Tiranës dhe universiteti shtetëror është shumë i rëndësishëm. Mos të lejojmë këtë krim dhe këtë degjenerim në sistemin tonë arsimor. 27 vjet tranzicion që ne kalojmë duhet ta mbyllim përfundimisht. Por jo duke sjellë një universitet që në një vit merr 10 diploma.