Detaje të reja zbulohen nga ekzekutimi i djeshëm ku mbeti i vdekur ish-efektivi i policisë, Arben Bilali.
Ngjarja e rëndë ka ndodhur në mesditë, rreth orës 14:15 në zonën e Selitës. Burime nga grupi hetimor bëjnë me dije se Arben Bilali është qëlluar me një armë zjarri automatike me silenciator nga një distancë rreth 5 metra.
Sipas burimeve, 50-vjeçari ishte larguar nga banesa disa orë para ngjarjes dhe ishte pasagjer në një mjet tip “Golf 4”.
Me sa duket i gjithë udhëtimi i tij ka qenë i monitoruar. Kjo pasi 2 atentatorët që lëviznin me një “Benz” të zi e gjurmuan që prej shkollës “Vasil Shanto”.
Atentatorët e kanë ndjekur 50-vjeçarin deri tek rruga “Daniel Ndreka”. Sapo Bilali zbriti nga makina pranë banesës u qëllua me breshëri.
Mjeti “Golf 4” dhe makina e atentatorëve u larguan nga vendi i ngjarjes. Ndaj policia ka shoqëruar sot drejtuesin e mjetit që solli Bilalin pranë banesës ku edhe u vra.