MENU
klinika

"Bisedimet po shkojnë mirë"

“S’ka marrëveshje me Kinën deri kur të takohem me Xi Jinping”

31.01.2019 - 18:22

Presidenti Trump ka thënë se negociatat tregtare me Kinën po shkojnë mirë, por që s’do të ketë marrëveshje përfundimtare derisa të takohej me Presidentin Xi Jinping.

Trump, në një seri postimesh në Twitter, tha se kishte qëllime të mira nga të dyja anët. Ai pohoi se Kina donte të bënte një marrëveshje në mënyrë që Shtetet e Bashkuara të mos rritnin tarifat mbi 200 miliardë dollarë të importeve kineze më 2 mars, siç ka kërcënuar Trump.

Presidenti është planifikuar të takohet me Liu He, zëvendëskryeministrin e Kinës, në Zyrën Ovale të enjten, gjatë ditës së dytë të bisedimeve midis zyrtarëve amerikanë dhe atyre kinezë.

Trump tha se ai dhe Xi mund të takoheshin për të finalizuar një marrëveshje në të ardhmen e afërt. Trump mund të takoje Xi në shkurt nëse ai udhëton në Azi për takimin e tij të ardhshëm të samitit me Kim Jong-un të Koresë së Veriut. Kjo do t’u jepte atyre mundësinë për të përfunduar një marrëveshje nëse bisedimet ecin mirë.

Shtetet e Bashkuara dëshirojnë që Kina të blejë mallra dhe shërbime amerikane në sasi të mëdha për të reduktuar deficitin tregtar të Amerikës dhe të bëjë ndryshime rrënjësore strukturore në ekonomi kineze.

Të hënën, Trump përsëriti llojet e koncesioneve që dëshiron që Kina të bëjë, duke përfshirë hapjen e tregut të saj për prodhuesit, fermerët dhe shërbimet financiare amerikane. “Pa një marrëveshje kjo do të ishte e papranueshme!” tha Trump në një postim.

Dy palët kanë shpallur “pauzë” 90-ditëshe në dhjetor. Ato kanë edhe 30 ditë kohë për të arritur ujdi. Nëse bisedimet dështojnë, SHBA do t’i dyfishojë tarifat mbi disa mallra kineze, në vlerë prej 200 miliardë dollarësh, nisur nga 2 marsi.

Por ka pak mundësi që çdo çështje të zgjidhet deri në atë datë, dhe zyrtarët e administratës Trump i përshkruajnë negociatat si më të komplikuarat deri më sot.

Zyrtarët e administratës së Trump kanë sinjalizuar se ka pasur shenja progresi, por që jo ndonjë përparim të madh lidhur me koncesionet kryesore që Shtetet e Bashkuara po kërkojnë.

Një komplikim i ri në marrëdhëniet SHBA-Kinë ka ndodhur këtë javë, kur Departamenti amerikan i Drejtësisë ka ngritur akuza kundër gjigantit kinez të teknologjisë, Huawei, për, siç është thënë, shkelje të sanksioneve kundër Iranit dhe vjedhje të sekreteve teknologjike të SHBA-së.